Në mbështetje të protestës së banorëve të Zall Gjoçajt përpara Bashkisë Mat

Në datën 6 mars 2020, ditën e premte, në ora 12:00, banorët e zonës së Zall Gjoçajt do të organizojnë protestë përpara Bashkisë Mat në qytetin e Burrelit, kundër ndërtimit të HEC-eve Sekë dhe Zais në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.

Institucionet publike duhet të jenë së pari e mbi të gjitha, në shërbim publik të mbrojtjes së interesave të komunitetit të qytetarëve që i ka zgjedhur ato. Një gjë e tillë nuk po ndodh me Bashkinë e Matit, që përfshin zonën e Zall Gjoçajt, ku një kompani private do të ndërtojë dy HEC-e, në mënyrë të kundraligjshme, duke shkatërruar pasuritë natyrore të parkut kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” dhe duke u prerë furnizimin me ujë të pijshëm mbi 10 mijë banorëve të zonës. Për shkak të tërheqjes së shtetit nga detyrimet e veta ndaj qytetarëve, dhe mbrojtjes që u jep interesave të ngushta të kompanive, edhe në këtë rast, Bashkia e Matit ka shkelur detyrimet e saj dhe ka lënë mënjanë kompetencat e veta ligjore në mbrojtje të interesit publik.

Ju pëlqen!

Bashkia është përgjegjëse ligjërisht për sigurimin e ujit të pijshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Në rastin konkret, Bashkia e Matit, e ka lënë furnizimin e banorëve me ujë në dorë të kompanisë private, që synon ta marrë atë ujë për të tjera qëllime. Bashkia nuk ka publikuar në faqen e saj zyrtare Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të punimeve, nuk ka publikuar thirrjen për dëgjesën publike me banorët e zonës, duke manipuluar madje përmes një kinse dëgjese publike me banorë të një zone tjetër, e madje nuk ka zbatuar as detyrimin për të qenë vetë si institucion, pjesë e dëgjesës publike. Rikujotjmë se banorët kanë bërë padi për këtë rast edhe në Gjykatë, e cila po e zvarrit shqyrtimin e çështjes, ndërkohë që kompania po lejohet të vazhdojë punimet e jashtëligjshme.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri shpreh mbështetjen dhe solidaritetin me banorët për protestën e datës 6 mars, ora 12:00, përpara Bashkisë Mat. Mbështesim këtë protestë të thirrur e të organizuar nga banorët dhe shoqatat mjedisore për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave bazë të qytetarëve. Mbrojtjen e të drejtës për ujë, pra për jetë. Kur institucionet publike shndërrohen në mjet për të mbështetur kompani private kundër interesit publik, atëherë protesta shndërrohet nga një e drejtë në një domosdoshmëri. Banorët e zonës janë të vendosur që ta ndalin këtë projekt shkatërrimtar i cili do t’ua bëjë të pabanueshme zonën për mbi 13 fshatra.

Parku Kombëtar që po shkatërrohet është pasuri publike e të gjithë qytetarëve, prandaj u takon të gjithë qytetarëve t’i dalin në mbrojtje.
Tiranë, 4 mars 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!