MekuliPress ju sjellë letrën e Legatës së Mbretërisë së Serbisë në Rusi-Petrograd, dërguar kryetarit të Këshillit Ministror dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Serbisë, Nikola Pashiqit –Beograd

Sekret nr. 1188 26.III.1913.


Sot isha te z. SAZANOV dhe sërish ia përsërita atë që ia kam thënë aq shumë herë për kufijtë e Shqipërisë, dhe në mënyrë speciale për Gjakovën; dhe ja se çka më tha ai për këtë, duke nënvizuar se këtë po ma thotë në konfidencë të madhe.
Nga të gjitha anët I ARRIJNË ANKESA kundër nesh, për shkak të sjelljeve tona në viset e sapoçliruara ku ka arbanas. Edhe gazetat serioze, siç është TAJMS-i, sjellin lajme për KRIMET, të cilat, siç thotë, i bëri USHTRIA jonë dhe PUSHTETI ynë. M’i përmendi si shembull disa gjëra, gjegjësisht lajmin se NË GJAKOVË KEMI PUSHKATUAR 300 VETË; se po në të njëjtin qytet me dhunë i kemi detyruar të kalojnë në fenë ortodokse 80 familje arbanase; dhe se një prift katolik është vrarë në rrugë e sipër mdërmjet Gjakovës dhe Pejës. Të gjitha këto gjëra, ashtu siç i ka thënë konti TURN, ambasador i Austro-Hungarisë, shumë negativisht po ndikojnë në Vjenë, e sidomos në qarqet e klerikëve, të cilët ende thërrasin për protektorat të Austro-Hungarisë mbi të krishterët në Shqipëri. Këto qarqe janë shumë të fuqishme, kur dihet se aty është edhe erchercogu Ferdinandi; i cili ndikon personalisht te vetë Mbreti. Edhe ambasadori austro-hungarez i ka thënë se para pesë ditësh ishin pothuajse të gatshëm të na e JAPIN Gjakovën, por krimet e tashme kanë ndryshuar disponimin.
Prandaj z. SAZANOV këshillon në mënyrën më serioze që menjëherë të lansohen gjithkah demantimet e këtyre lajmeve, të cilat botohen në gazetat evropiane kundër nesh, dhe atë jo në fraza të përgjithësuara, por për secilin rast veç e veç. Përpos kësaj, edhe atij duhet t’i japim informacione për atë se si do të mund të na MBRONTE para Austro-Hungarisë.
Pastaj, z. SAZANOV më kumtoi këtë që do t’ju lajmëroj tash, ama në KONFIDENCË TË MADHE. Së pari m’u lut që ta mbaj vetëm për vete, e pastaj më autorizoi t’ju lajmëroj edhe Juve, por vetëm Juve në letër personale, të cilën do t’jua dërgoj nesër përmes korrierit rus. Kjo për shkak se, siç thotë ai, nëse marrin vesh austriakët se na është kumtuar lajmi, ata do të heqin dorë edhe nga kjo, dhe puna do të jetë edhe më keq.
Më tha se Rusia tashmë ia ka shkëputur Shqipërisë Prizrenin, Pejën dhe Dibrën (e Shkodra?), gjegjësisht Gjakovën, përkundër kundërshtimeve të Austro-Hungarisë, dhe është vendosur që këtë çështje ta zgjidhë një komision por ai do të jetë në anën tonë, dhe atë për këto arsye. Z. Sazanov kërkoi që ai komision të mos i zgjidh çështjet në bazë të të dhënave etnografike, sepse në atë rast çështja do të përfundonte disfavorshëm për ne, por të merren në konsideratë arsyet gjeografike. Gjakovën e ndajnë nga Shqipëria vargmalet e mëdha dhe, konform kësaj, Gjakova anon kah Lindja, kah Serbia, e jo kah Perëndimi, kah Shqipëria; prandaj kufiri duhet të jetë nëpër majat e atyre MALEVE dhe në këtë mënyrë Gjakova duhet t’i takojë Serbisë. Meqë ai komisioni do të marrë për bazë atë fakt që na konvenon neve, z. Sazanov shpreson se Gjakova do t’i merret Shqipërisë; vetëm thotë se duhet të përgatitemi pakëz, qoftë edhe nëse kjo çështje zgjat pak më shumë. Diçka më shumë për këtë komision nuk deshi të më tregojë. Unë po Jua transmetoj këtë sipas detyrës zyrtare dhe Ju lus të më lajmëroni telegrafikisht se si mendoni të reagoni Ju në tërë këtë.
Dje e takova ambasadorin italian dhe ai më tha se Austro-Hungaria ende është duke e kërkuar njësoj Gjakovën. Nuk më tha gjë për komisionin e projektuar, por më tha se çështja do të duhej të zgjidhej sipas parimeve gjeografike dhe se dikur malet e ndanin Shqipërinë nga Gjakova.

(Shih: DASIP B. PO F. 15. D. 3. R.VII-6; Dokumenti o Vanjskoj Politici K. S. 1903-1914, K. VI, s. 1, Beograd 1981, faqe 404-406).

Po i njëjti diplomat rus, Sazanov, më 21 korrik 1915, i ofron Serbisë edhe këtë variant për Serbinë e Madhe:

“Rusia për ju është e mirë vetëm kur jep, e jo edhe kur kërkon. Ne vend që serbët të kalojnë në ofensivë kundër Austro-Hungarisë, serbët ndërhyjnë në SHQIPËRI dhe duan luftë me Bullgarinë për shkak të Maqedonisë. Unë dëshiroj të siguroj paqe ndërmjet Serbisë e Bullgarisë, për këtë shkak e kërkoj Maqedoninë. A e dëshironi Kroacinë? Zgjedhni, nuk mund ta merrni edhe njërën e edhe tjetrën, e ardhmja juaj është kah Perëndimi, e jo në Maqedoninë e cubave. Unë DUA TA KRIJOJ SERBINË E MADHE, të siguruar nga Bullgaria, dhe prandaj po jua ofroj Kroacinë. E, nëse ju dëshironi ta shkatërroni Serbinë, kërkojeni Maqedoninë.

(Shih më gjerësisht publikimin: “Srbija i Rusija”, Beograd; DASIP. PO. 1915. F. IV 3-1 pov. 7475, telegrami i Shpalakoviqit dërguar Nikola Pashiqit)./MekuliPress.com/

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]