Përshëndetje të Nderuar Mësimdhënës!

Si veterane e arsimit, desha që t’ju drejtohem me këtë letër të hapur, sinqerisht dhe me brengë të madhë për Arsimin në Kosovë, prandaj edhe për Kosovën si shtet.
Më kujtohen dyja, dita kur për herë të parë kam kapur ditarin e shkollës në duar dhe dita kur e kam lënë atë në raftin e ditarëve. Kam ndaluar për një copë kohë duke shikuar ditarin e raftin, i cili ishte po i njejti që nga dita kur kam filluar mësimdhënien e deri kur po e përfundoja atë. Më janë kujtuar me shpejtësi marramendëse shumë ndodhi. Ishte ndjenjë shumë e fortë dhe e papërshkrueshme. M’u kujtua edhe dita e parë e cila ditë ishte sa ishim nën Okupim e shumë ngjarje deri tek dita e fundit, por e dyta ishte në Liri. Që nga dita e parë kemi punuar me t’vetmin synim, që t’arrijmë Lirinë, shpesh edhe duke mos e besuar se do vijë ndonjë ditë, por kemi punuar pa ndalë. Mirëpo, kur punon pa hile dhe me një synim të sinqerte e fisnik, arrihen të gjitha.

Liria erdhi, por zhvillimi ngeci. Që nga dita e çlirimit e deri tani, nuk shihet se kemi lëvizur vendit, nuk ka zhvillim të cilin e kemi ëndërruar gjatë kohës sa ishim nën okupim. E për t’u zhvilluar, duhet edhe më shumë punë sesa gjatë Okupimit. Duhet edhe më shumë mund e sakrificë sesa gjatë kohës sa ishim të shtypur sepse dihet se motori kryesor i një shoqërie për zhdukjen e varfëris dhe papunësis është Arsimi. Jo rastësisht, vendet më të varfëra në listën e PISA-s ishin të fundit sepse siç dihet, nëse ngecë Arsimi, ngecë e gjithë shoqëria.

Ju pëlqen!

Prandaj, ju që sot punoni në Liri, ju që sot merrni ditarin në duar dhe nuk keni nevojë që t’shihni nga dritarja e klasës se mos do t’vie ndonjë veturë policie që t’ju arrestoj për shkak se fëmijëve po u mësoni atdhe-dashurinë e dashurinë për kombin e flamurin, ju që niseni për në shkollë dhe nuk keni frigë se do t’arrestoheni rrugës apo në klasë para nxënsve sepse diku është parë ndonjë parullë “Kosova Republikë” apo edhe vetëm nismëtorë e Kosovës Republikë “K. R”, çojeni amanetin deri në fund sepse na e keni me borxh neve që punuam nën okupim! Kontriboni në Zhvillim, kontriboni në zhdukjen e Analfabetëve Funksional.

E kam parasysh që rrogat e mësuesve janë shumë të vogla por edhe Kosova nuk është shumë e pasur. Ngriteni nivelin e Arsimit që Kosova të forcohet e të ketë mjaftueshëm për të gjithë. Nuk shkatërrohet shteti për teket e dikujt. Mosni se profesioni juaj është më i shenjti sepse të gjitha profesionet tjera dalin nga Arsimi.

Nuk ka mjek, kemist, biolog, avokat, matematikan, polic, gjyqtar, arkitekt e ndërtimar që nuk kalon kah duart tuaja. Prandaj, nuk stopohet jeta kështu. Keni mendjen se kujt po i shkoni mbrapa. Dijnë apo nuk dijnë se çka kërkojnë.
Nga sa po shoh, kemi të bëjmë me njerëz që i janë falë notat në shkollë, udhëheqës grevash i arrestuar për Korrupsion, sekretarë sindikatash me nga 6 banesa e vetura luksoze. Nuk ngulet këmbë kështu sepse Kosova është edhe e juaja. Kthejuni punës tuaj sepse kur do të vie ai momenti kur do ta leni ditarin në raft për herën e fundit, do të Krenoheni apo Turpëroheni, varet e tëra nga ju!

Ju falemnderit dhe suksese në punën tuaj!

Rafete Jakupi
Arsimtare e Gjuhës Shqipe, Pension.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.