“Kuvend letrash me miqtë”, botuar OMSCA-1 ka pasur dy vëllime, një letërkëmbim i pasur i Mustafa Krujës dhe familjes Gjomarkaj, e prof. Zef Nekës, ku po ashtu në këtë letërkëmbim përfshihen edhe profesorë të shquar të universiteteve të ndryshme të botës, njëkohësisht ndër personalitetet më të spikatura të jetës kulturore shqiptare, përkatësisht Ernest Koliqit, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Namik Resulit, Atë Zef Valentinit dhe Stavro Skendit.

Gazeta “Standard” i ka publikuar fillimisht këto letra, me të drejtë ekskluzive, nga botuesi ku jepet letërkëmbimin që Kruja ka pasur me Koliqin, një epistolar që ka përfshirë datat 30 prill 1948 – 10 dhjetor 1958.

Siç thotë Eugjen Merlika, nipi i Mustafa Krujës, kjo është një nismë e familjes për t’i paraqitur lexuesit të sotëm letërkëmbime të tij me personalitete të ndryshme të jetës kulturore e politike të Shqipërisë. “Ideja, për të botuar atë pjesë të letërkëmbimeve të mbetur në arkivin e familjes, është nxitur edhe nga vlerësimi që personalitete si Ernest Koliqi apo Karl Gurakuqi kanë shprehur për to”, thotë Eugjen Merlika, duke sjellë dy citime të Koliqit e të Gurakuqit.

Ju pëlqen!

Koliqi në revistën Shęjzat me rastin e 70 – vjetorit të lindjes së Mustafa Krujës shkruan se “Aty ku Mustafa, mendoj, arrin në përsosje letrare âsht stili epistolar. Ata që patën fatin me pas letra prej tij, duhet t’i ruejnë me kujdes sepse në to âsht derdhun visar i paçmim i shqipes”. Nga ky letërkëmbim i Mustafa Krujës vjen atmosfera politike e migracionit, ku “nji pjesë e udhëheqësve të t’cilit qenë angazhue thjesht për me kapë dollarë prej amerikanëve e s’tregonin as ma të voglin vullnet e zell për me organizue nji aktivitet konkret kundër regjimit të Tiranës”, shkruan prof. Ardian Ndreca në hyrje të vëllimit të dytë të “Kuvend letrash me miqtë”. Sipas tij në këto letra ndihet gjithnjë e më tepër, me kalimin e viteve besimi në rritje i Mustafa Krujës ndaj figurës së sovranit, “të cilin ai e trajton si nji element që mundet me favorizue bashkimin e të gjitha forcave politike jashtë atdheut”. Nga ana tjetër prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirësia për të bashkërenduar veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike që i duhet të përballojë një grushti të vogël idealistësh atdhetarë që jeta “i ka hedhë e shpërnda pa plan e pa shtëpi”.

Më poshtë vazhdon letrat e Koliqit për Krujën…

Letërkëmbim Mustafa Merlika Kruja , Ernest Koliqi

(30 Prill 1948 – 10 Dhjetor1958)

Rapallo, 7.XII.1948

I dashtuni Mustafë

Letrën t’ânde shkrue me 20 tetuer e gjeta këtu në Rapallo, ku jam tash mâ se nji muej i kapërthyem vetëm me punë familjare. Sot n’orën 4 të mëngjesit më fali Zoti nji vajzuke.

Ime – shoqe âsht krejt mirë dhe puna vojti rregullisht. Isha në kujdes e disi tashti pak u qetësova.

E kuptoj fare mirë mallin t’onë për këto vise të bekueme, ku Ti kalove me familje vjet qi atëherë na dukeshin âmtije e pritjeje dhe sot kujtoj se përbâjshin hisen e lumnís qi na ishte dhânë në kët botë. Kur kaloj ndonji herë nëpër Nervi Të kujtoj, sikurse nuk më hiqet mëndsh mikpritja e asaj kohe të zojës Caje dhe e jotja. Unë jam pak ma fatlum se shum shokë, por edhe mue bukurín e ditve të bukra qi këtu çuditënisht janë tue vazhdue, m’a terratisë kujtimi i vllaut qi kam në burg atje n’at ferr qi u bâ Shqipnija dhe dyshimi mos të zhduket herët a vonë edhe ai si shokët!

Në dorë të Zotit!

Për Bashkimin prap kam shkrue. Plasa tue bâ relacjone n’at dreq Ministrije (m’i lypin ata vetë), por punët ecin kadalë.

Djalit të Myftís ia mora visto-n, ashtu Koços e Këlcyrës. Kur po vijnë?

Mora tash tri ditë nji kartë prej Koços, por nuk kuptova mirë se ç’më thonte.

Jam krejt në terr për sa u përket punve të pulatikës së shqyptarhânes. Ismaili nuk më ka shkrue po bâhen 20 dit. Unë, si të thaçë, kam pasun telashe e iu kushtova në kohët e fundit vetëm çâshtjeve familjare. Prej Rome askush nuk më shkruen, ndoshta pse kanë pritë të dukem atje krye moji s’paku simbas zakonit. Por unë, salvo imprevisti, deri më 15 kallnduer s’due t’los vendit. Tashti u bâna dyfish babë e shtëpija më mban mâ tepër se përpara.

Javën e fundit të tetorit e kalova në Sicili, aty, si e din pse edhe Tý t’âsht dërgue thirrja, u mblodh nji Kuvend ndërkombëtar studimesh shqiptare. Suksesi qe i shkëlqyeshëm. Veçanërisht né Shqiptarvet të Shqipnís na kanë pritë me nji përzëmërsí të thekshme. Me 24 nanduer, si fryt i parë i kuvendit, u themelue në Palermo qëndra e studimeve shqiptare. Kryetar: Dr. Petrotta; Drejtues: prof. Riberzo; sekretar i përgjithshëm: Karl Gurakuqi. Kjo qëndër mund të ket zhvillime të pamëndueme. E përkrahë qeverija e Regjonit me mjete edhe financjare. Un kam pasë bisedime të gjata me Shkëlqesën Alessi; President i Regjionit (nji farë Mëkâmbsi). Kam folë gjatë edhe për Tý. Por mbi këtë, nji herë tjetër. Në kuvend shum kush ka pyetë për Tý.

Kaq për sot. Salih Efendiut dal-kadalë të gjitha deshiret do t’ia çoj në vend?! M’i bân nderimet e mija. Tý të përqafoj me mall.

Të fala prej të gjithëve të shtëpi,

I yti Ernesti.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.