Letër e hapur burrave e djemve shqiptarë

I dashur djalë/burrë shqiptar,

s’janë mbushur ende tri ditë qëkur një nga ne kreu femicidin e radhës duke vrarë sërish një grua, në Dardanë të Kosovës. Viktima u mbyt nga goditje të përsëritura në krye me një shufër të metaltë. E pra, duhen goxha goditje, të fuqishme, të shënjestruara, të përsëritura, për ta carë kryet e njeriut. Rrashta është asht i fortë, më i fortë se gjetkë, pse mbron trutë e ndieshme përposh. Forca e kërkuar për t’i nxjerrë trutë njeriut të rritur shkon deri 680 Newton, thotë shkenca forensike, ekuivalent i goditjes nga makina me 70 km/h. Për ta gjeneruar këtë lloj force, disa herë me radhë, në të njëjtin vend, lypet koncentrim i hatashëm. Lypet akumulim i hatashëm i përbuzjes, lypet urrejtje e hatashme.

Ju pëlqen!

Viktima e Dardanës është vec shifra e radhës në regjistrin tonë kriminal. Për afro 2 vjet ne djemtë e burrat shqiptarë kemi vrarë kësisoj mëse 120 vajza e gra të ndryshme, të reja e të moshuara, vajza e gra me shkollë fillore, me gjimnaz, e me fakultet; të martuara, të fejuara, e të pamartuara; vajza e gra të varfëra, të klasës së mesme, e të pasura, me profesione që nga amvisja e gjer te gjykatësja. Ne ato i kemi vrarë kudo, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, në Greqi; i kemi vrarë nëpër Europë, në Gjermani, në Zvicër, në Britani e gjetkë, e gjer Amerikë, në Zelandë të Re, e në Australi të largët. Regjistri ynë patriarkal është edhe më i errët po të numërojmë abortin selektiv të vajzave: ne jemi ndër pak popuj të Europës që vrasim në mënyrë sistematike vajzat që në on të mëmës.

I dashur djalë/burrë,

arsyeja rrënjësore pse ne i vrasim vajzat e gratë është se ne jemi kondicionuar kulturalisht që t’i përcmojmë ato. Është me rëndësi që unë e ti ta kuptojmë këtë fakt. Vetëm kjo është arsyeja e plotë, e cila arrin të ngërthejë edhe abortin selektiv të vajzave të palindura: pra të vajzave që s’kanë arritur as të marrin frymë.

Arsye tjetër që mbulon gjithë regjistrin tonë kriminal nuk sajojmë dot. Se arsye tjetër thjesht s’ka. Por justifikime kemi, sa të duash. Më ktheu fjalën. Nuk më dha lekët. U dashurua me dikë tjetër. Bëri seks me dikë tjetër. Nuk bëri punët e shtëpisë. Nuk më pruri kafen (po, është përmendur krenarisht edhe ky motiv). Mjafton dikush të na dëgjojë si justifikohemi para ligjit, për të kuptuar se c’psikopatë dimë të jemi ne, burrat shqiptarë. Se cfarë privilegjesh sedertare i kemi ndarë ne vetes në raport me vajzat/gratë e përcmuara. Evidenca shkencore është rigoroze. Ajo thotë se vajza e gruaja duhet të frikësohet më fort nga ne pikërisht kur i themi se e duam, se atëhere e vrasim më shpesh. Evidenca shkencore thotë, poashtu, se gjasat që ne ta vrasim gruan shtohen kur kjo është shtatzanë. Se atëhere ajo është më e ndieshme, më hormonale, më e lëndueshme. E ne s’të falim. Sa herë që vajza/gruaja është vetvetja. Sa herë që ajo sillet si person, si qenie autonome, e cila vendos vetë për jetën e vet, për sensualitetin e seksualitetin e vet, për prioritetet e veta jetësore. Ajo bie menjëherë nën hije të vdekjes. Dhe xhelati potencial jemi gjithmonë ne, djemtë e burrat afër saj.

Një nga mitet e kohës është se kjo dhunë jona intensive kundër vajzave e grave po shkon drejt shuarjes, falë modernizimit të shoqërisë. Statistikat thonë të kundërtën. Raporet policore në Shqipëri nga nëntori 2019 flasin për një grua të abuzuar cdo të tretën ditë, një ndër shifrat më të larta ndër decenie. Dhe kjo është vetëm incidenca e raportuar në polici. Në anketime cdo e dyta grua në Shqipëri thotë se ka vuajtur dhunë patriarkale. Në Kosovë më 2014, policia hetoi 910 raste me vajza e gra që kishin pësuar dhunë patriarkale. Që atëhere shifra është rritur pothuaj cdo vit, 1065 gra më 2016, 1228 gra më 2018, e 1593 gra më 2019. Dhuna jonë kriminele kundër grave nuk po shkon drejt shuarjes, por drejt shtimit.

I dashur djalë/burrë shqiptar,

fakti se modernizmi tek ne sjell shtim të dhunës patriarkale kuptohet lehtë, po ta kundrosh me sy historik. Tek me moderniteti nuk është arritur gradualisht, si gjetkë në Europë. Ne s’kemi patur aklimatizim të natyrshëm shkallë-shkallë ndaj vlerave të kohës, lirive e të drejtave individuale, barazisë gjinore. Nga këto ecuri graduale neve na kanë shkëputur dy karantina të gjata. Së pari, karantina e teokracisë osmane. E së dyti, karantina puritane e komunizmit totalitar. Këto dy regjime në disa aspekte ishin kundërshti ekstreme. Por kur i qëmton hollë, del se kishin edhe tipare të përbashkëta. Të dy regjimet kishin një burrë, një sulltan kalif a një sekretar të përgjithshëm, në krye të piramidës. Të dyja kishin shura, mexhlisë, e byro politike ku ligjin bënin burrat; ndonëse komunistët u kujdesën që aty të ketë edhe një decorum grash. Dhe që të dy ishin kultura militariste, me etikë e estetikë të impenjimit kolektiv që naltëson disiplinën, e dhunën burrnore.

Unë vë bast se më shumë gra janë vrarë e përdhunuar gjatë historisë nga ne, djemtë e burrat shqiptarë, se nga gjithë të huajt. Ndërsa pjesa e tjetër e Europës, që nga përndritja (iluminizmi) e këtej, ka sajuar për 400 vjet një qytetërim me liri e të drejta individuale dhe barazi gjinore. Ne kemi ngelur mbrapa të ngujuar në kulla, ku vazhdon të gëlojë femicidi. Ti dhe unë, i dashur, jemi pjellë vrasësish. Ne vrasjen e vajzave e grave biles e kemi kodifikuar në traditë. Ne shpikëm fishekun në pajë. Ne i quajtëm gratë tona “kafshatë e djallit”, e “shakull për me bajtë”. Nga kanuni i Lekës, te ai i Bendës e i Labërisë, e te kanun i Çamërisë, ne na bashkojnë nocionet “zot i shtëpisë” vs “rob i shtëpisë”: këto na mbledhin më fort se flamuri. Besimet tona, doket e traditat, artizanatet, këngët, idiomat e gjuhës, hymni ynë kombëtar, “kush është burrë nuk frikësohet”, të gjitha janë plot dëshmi të përcmimit të vajzave e grave. Ne gjithçka të mirë e të ndershme e quajtëm “burrërore”, e gjithçka të ligë ua tërhodhëm vajzave e grave: ndonëse ne djemtë e burrat ndërsyem gjithë të ligat në vatrat tona, e vajzat dhe gratë ruajtën gjithçka që na ngeli e dlirë dhe e mirë ndër shekuj.

A ke degjuar ndonjëherë mamanë a gjyshen t’i thonë motrës, ta zëmë, sa ish e vogël: “Zoti të ruajtë moj bijë”? Nga kush mendon ti se janë frikësuar ato? Nga ujku? Vajza i është lënë Zotit amanet shkaku ynë, shkaku i djemve e burrave si ne. Se rrugët janë plot me ne: rrugët gëlojnë plot me pjellë vrasësish. Bajraktarë, kryepleq fshatrash, sekretarë partie, kryetarë kooperativash, brigadierë uzinash, profesorë fakultetesh, politikanë, policë. Të gjithë korrim vajzat e gratë, ashtu si korr drapëri kallinjtë e grurit. E bëjmë për të njëjtën arsye si drapëri. Pse e kemi traditë.

Prandaj pra s’është cudi pse ne sot vrasim më shpesh vajza e gra. Se vajzat e gratë kanë nisur të sfidojnë këtë traditë, e kërkojnë të jetojnë si njerëz. Modernizmi i shton vrasjet patriarkale pse krijon konflikt të vlerave, moderniste vs patriarkale. E ky konflikt zgjon nga gjumi kucedra gjaku, të cilat flejnë tek burimet tona të lashta.

I dashur djalë/burrë,

në këtë letër jam përpjekur të të shpjegoj se unë dhe ti jemi produkte serike të një tradite vrastare, të sajuar nga stërgjyshër e katragjyshër të skllavëruar. Është me rëndësi që ti ta kuptosh themelshëm këtë. Po ta them prapë: ne jemi pjellë vrasësish. Vajzat e gratë që shikon përreth janë pasardhëse të atyre që mbijetuan korrje midis skllevërish. Gra që ishin aq të zgjuara sa të përkëdhelin sedra psikopatësh, aq të forta sa të mbijetojnë poshtërimin e përditshëm. Bijat e tyre janë midis nesh sot, si dëshmi si lulëzon e mira në mes të ligësisë.

Kjo është, njëherit, e vërteta e trishtë e patriarkatit shqiptar: që është mani e ndërtuar me tulla të huaja. Para ardhjes së të huajve, para helenëve, Romës, osmanllëkut, e komunizmit, vajzat e gratë tona mund të bëheshin edhe tevta, mbretëresha. Tjerët na quanin barbarë, sic i kanë quajtur pushtetarët gjithmonë njerëzit e lirë: por sa qemë të lirë, ne ngremë mbretëritë tona nga Istria e gjer në Epir, e dinjitetin e njerëzve të lirë e gëzonim bashkë me vajzat e gratë tona. Ne kurrë s’kemi qenë më madhështorë se kur na quanin barbarë. Ne kishim Teutën, shekuj para Boudikës britanike, e mëse njëmijë vjet para perandores Theodora të Bizantit! E sa jemi sot? Si jemi sot?

Në njëfarë mënyre, ndoshta ky është edhe bekimi që sjell modernizmi në shoqërinë shqiptare. Që ai na shpie tek burime të lashta. E aty na mëkon plagët, aty na mbyll rrethin. Nuk është vetëm bashkimi kombëtar që pret në fund të këtij rrugëtimi. Aty pret edhe shoqëria e mirëqenies, edhe barazia gjinore. Modernizmi ndër ne sjell një jetë të denjë për njeriun, pavarësisht gjinisë.

Dhe këtu diku hyn edhe roli im e yt, si djalë a burrë shqiptar. Ti nuk ke zgjedhur vetë kucedrat që të ka lënë trashëgim historia, ndasitë, patriarkatin, femicidin. Por ti mund të zgjedhësh të mos i ushqesh më ato. Ne, bashkë me vajzat e gratë, mund të ngordhim kucedrat e gjakut tek rrënjët tona. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është, të mos i ushqejmë më ato ashtu si kemi bërë ndër shekuj. Të mos i ngopim më përditë e ngapak me shpirtat tanë, me mendjet tona.

Në jetën e një djali e burri tipik shqiptar, nuk ka ditë më të vështirë se dita kur ai kupton se është vetë, e ka qenë gjithmonë, armiku më i madh i vetvetes e i kombit të vet. Dhe nuk ka cast më të shenjtë, se kur ai vendos të qëndrojë pranë sivëllezërve e simotrave të veta, duke u thënë jo kucedrave të gjakut.

I dashur djalë/burrë shqiptar,

tri ditë më parë, këto kucedra u harlisën në triumf të ri, kur një nga ne kreu femicidin e radhës dhe vrau sërish një grua. Viktima u mbyt nga goditje të përsëritura në krye nga një shufër e metaltë. Cdo goditje me shufër në rrashtën e viktimës ishte njëherit edhe goditje mbi ligjin tonë, përbuzje për të tashmen tonë, urrejtje për të ardhmen tonë. Cdo goditje ishte një triumf kucedrash. Për afro 2 vjet ne kemi vrarë kështu mëse 120 vajza e gra të ndryshme, me cdo status të mundshëm, në të gjitha viset e mundshme të botës. Për vajzat e gratë shqiptare nuk ka zonë të sigurt, pse kanë kudo vrastarët e vet: pse janë kudo të rrethuar nga kucedrat e gjakut, që i korrin ato si korr drapëri kallinjtë e grurit.

Unë e ti vërtet s’kemi zgjedhur vetë historinë tonë. Mirëpo, ne mbajmë përgjegjësi të plotë për të ardhmen tonë, para vetes e para tjerëve. Ne mbajmë përgjegjësi që të mos lejojmë veten të vazhdojmë më të rrojmë nën hije kucedrash. Ky poshtërim duhet të mbarojë me ne. Ne duhet të bëhemi brezi që mori me vete në varr përgjithmonë atë njollë të historisë. Këtu mund të ndihmohemi bashkarisht, me 7 hapa të thjeshtë:

– Respektojmë ligjin, përfshirë këtu ligjet për barazi gjinore
– I themi Jo dhunës që nuk ka sanksion ligjor
– Ua ndajmë pasurinë barabarësisht djemve dhe vajzave
– Edukojmë djemtë të marrin përgjegjësitë e veta në shtëpi
– Edukojmë vajzat të marrin përgjegjësitë e veta qytetare
– Arsimojmë njësoj gjithë fëmijët tanë, pavarësisht gjinisë
– Ushqejmë kulturë e folklor që forcon vlerat, e jo antivlerat

Është përgjegjësia dhe detyra jonë, në radhë të parë, që t’i vëmë pikë këtij turpi kombëtar. Zhdukja e këtyre kucedrave është detyrë drangonjsh të shekullit të ri.

Unë uroj që ti, djalë e burrë shqiptar, do të jesh në nivel të kësaj detyre.

Vëllazërisht,
Shqiptar Oseku

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!