Një diplomat duhet të ketë kurajo, madje formën më sipërore të guximit, të paktën në ditët tona: këllqet për të shprehur mendimet e tij dhe për t’i thënë “jo” eprorit, kur lypset. Ky është mësimi boshtor për çdo përfaqësues dhe mbrojtës të interesave të vendit të tij, sipas Pietro Quaronit, një aseti të diplomacisë italiane në shekullin e kaluar, të njohur më gjerësisht edhe për lexuesin shqiptar si autor i botimit të suksesshëm autobiografik, “Valixhja diplomatike”.

Ky leksion duhet t’i shërbente edhe të përzgjedhurit të kryeministrit Edi Rama në krye të diplomacisë shqiptare, Gent Cakajt, i cili në një dalje publike ditën e sotme, u përpoq të mbulojë diellin me shoshë, duke keqlexuar mesazhet boll të kjarta të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për votimet e 30 qershorit.  Në skanimin e përpiktë të ditës së zgjedhjeve, por edhe të periudhës paraprirëse të dokumentuar në raportin përfundimtar, OSBE/ODIHR-i pohoi e zeza mbi të bardhë se partia qeverisëse, që garonte me vetëbesim në një garë pa kundërshtarë, kishte përçudnuar procesin kryepingulthi. Sipas OSBE-ODIHR “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”.

Në raport theksohej se gjyqtarët u ndikuan në vendimet e tyre për shkak të kalimit në “filtrin” e vetting-ut. Gjithashtu, raporti vinte në dukje se mospublikimi i dekretit për anulimin e 30 qershorit të presidentit të Republikës, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare, është i paligjshëm.

Më tej, për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 qershor, ODIHR specifikonte se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Thënë këto, legjimiteti i votimeve vihet në dyshim.

Ndërsa, sot, duke fyer inteligjencën e një populli të braktisur edhe nga mediat që i janë shitur politikës, Cakaj, më i lëçituri mes shqiptarësh, tjetërsoi sipas lenteve të selisë rozë të vërtetat fshikulluese e të formuluara krejt açik nga OSBE-ja. ”Raporti i OHDIR e cilëson sjelljen e PD dhe LSI, në raport me godinën e Kryeministrisë, si të dhunshme. Një ditë pas zgjedhjeve më me rëndësi sesa emrat e rinj që janë legjitimuar në këtë proces, ka qenë dëshmia se braktisja e parlamentit nuk mund të përkthehet në avancim institucional. Kësaj radhe kemi pasur shumë më shumë sesa bojkoti nga opozita. Jemi ekspozuar nga një dhunë vandaliste para dhe pas procesit zgjedhor. Këtë e thotë edhe raporti. Madje kemi pasur tentativa për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Tashmë me publikimin e raportit, ekziston një opinion se procesi zgjedhor ka qen i rregullt”, tha ndër të tjera ministri për gazetarët.

Sipas Cakajt, pavarësisht interpretimeve të ndryshme që i janë bërë raportit gjatë këtyre ditëve, më së shumti tonet kritikuese rëndojnë mbi opozitën. “Këto ditë, në qarqe të ndryshme politike dhe mediatike është diskutuar rreth përmbajtjes së raportit të OSBE/ODIHR. Ka ekzistuar një përpjekje për të keqpërdorur referenca të ndryshme ndërkombëtare përpara opinionit vendor. Procesi zgjedhor në Shqipëri ishte i lirë, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht.”

Duke u ndalur te disa prej gjetjeve kryesore të raportit, Cakaj tha se “vetë raporti sqaron se zgjedhjet janë zhvilluar pa konsideratë të mjaftueshme të interesave të elektoratit dhe mundësi të plotë të zgjedhjeve mes grupimeve politike”, por ai u kujdes të shtonte se “kjo vjen nga bojkotimi i zgjedhjeve nga opozita dhe nuk do të thotë se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime në tërësi”.

Edhe pse kuadri ligjor në Shqipëri mundëson pluralizmin, garën e lirë dhe i cakton  qeverisë angazhimin për të siguruar mundësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, sipas ministrit, nuk mund të mbahet përgjegjësi për bojkotimin e opozitës. Raporti evidentonte se klima gjatë fushatës ishte skajmshëmrisht e polarizuar dhe se nuk i është kushtuar vëmendje programeve elektorale, por sërish, sipas Cakajt, “është rrjedhojë e natyrshme e një procesi atipik elektoral ku përgjegjësia u takon atyre që e kanë bojkotuar procesin”.

Opozita në veçanti ka ushtruar presion madhor për mospjesëmarrje në zgjedhje. Kjo tregon se klima e zgjedhjeve ka qenë e ndikuar negativisht jo për shkak të veprimeve abuzive të qeverisë, por për shkak të një sjellje të caktuar politike që ne nuk e dëshirojmë”, në këndvështrimin e Cakajt. Ndaj kësaj sjellje, shefi i diplomacisë shqiptare tha se “askund në raport nuk konstatohet se zgjedhjet kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to”.

Ndërsa, në përmbyllje të konferencës u gjet edhe një shtegdalje nga marrja e përgjegjësive. Pyetjes se ky raport mund të jetë “një armë” në duart e vendeve skeptike të BE-së për të refuzuar hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë në tetor, Cakaj i është përgjigjur se në këtë drejtim ka patur përpjekje aktive “të disa qarqeve opozitare për të prodhuar dezinformim masiv, si dhe sabotim të procesit zgjedhor”.

Ndonëse i ardhur nga shqiptarët e përtejkufirit, edhe një riosh si Cakaj nuk ka mundur të mos njehsohet me kulturën e “njëshit”, pjesë e trashëgimisë malinje të regjimit komunist. Në Shqipëri, sikurse në demokracitë simotra në vendet e Evropës Lindore, bën çudi dhe konsiderohet gati si një skizmë dalja nga “rreshti” (rasti i Arta Dades dhe Ditmir Bushatit) i përvijuar prej kreut të partisë dhe për më tepër prej kryeminstrit, që në këto kushte shket gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit. Në vend që të adaptohen vlerat jetike të demokracive liberale të vendeve të Bashkimit Evropian, një ëndërr që duket të jetë e kyçur në sirtar për disa gjenerata shqiptarësh të zhgënjyer, bëhen prapakthime që ngadalësojnë gjer në lodhje shoqërinë shpresëpakët që po shpopullohet çdo ditë e më tepër nga emigrimi.

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, një thirrje që mund të ketë jehuar në aparatin dëgjimor të Cakajt, teksa ka qenë fëmijë, ishte dhe mbetet e dëshpëruar, por e njëmendtë. Bëhet fjalë për një Shqipëri evropiane për së brendshmi, me mjedise partiake demokratike ku kontribuojnë persona me integritet dhe jo rrufjanë të liderit, si edhe për së jashtmi, të integruar në familjen e madhe evropiane. /MekuliPress/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]