Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur nga Gjykata e Apelit në Beograd si i ligjshëm përdorimi i termit ofendues për shqiptarët, me ç ‘rast ka rënë poshtë padia e ngritur nga Shaip Kamberi ndaj ministrit të brendshëm Aleksandar Vulin.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar rëndë mbi këtë situatë, duke thënë se kjo aspak nuk ka të bëjë me fqinjësi të mirë.

“Sot Gjykata e Apelit në Beograd e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit shovinist e ofendues për shqiptarët, duke e rrëzuar padinë e ngritur Serbia udhëhiqet nga figura politike të cilat i mohojnë masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë. Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ende u ndalohet përdorimi institucional i flamurit kombëtar edhe pse jetojnë në trojet e veta. Populli ynë atje është pakica kombëtare më e diskriminuar në Evropë. Në anën tjetër sot është intervistuar gazetari Adriatik Kelmendi nga shërbimi sekret i Serbisë. Gjatë kohës së Milosheviqit këto i quanin ‘biseda informative’. Vërtet e trishtë dhe e papranueshme. Hiç më larg se dje Vuçiq edhe një herë na bëri ftesë për pjesëmarrje në Open Ballkan, duke shtuar se Serbia do të jetë ‘shtëpi e dytë’ për shqiptarët. Ky është Open Ballkan i 24 orëve të fundit që po tentohet të na shitet si ‘fqinjësi e mirë”, shkroi ai.

Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me polemika, kjo pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë në një vizitë zyrtare në Shqipëri rreth Open Ballkan.