Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, përsëri është thirrur në të ashtuquajturin “argument” se Krimea është shkëputur nga Ukraina përmes referendumit popullor, dhe se kjo për botën s’ka qenë e pranueshme, ndërsa tha se “Kosova pa referendum u shpall dhe u njohë si shtet i pavarur”.

“Si është e mundur që për Kosovën qenka e mundur pavarësia pa referendum, derisa në Krime, si rezultat i referendumit të vëzhguar nga qindra përfaqësues objektivë të vendeve të huaj, njohja s’është e mundur”, ka thënë Lavrov, raportoi B92.

Nxjerrja e paraleleve krejtësisht të paqëndrueshme të dy konteksteve rreptësisht të ndryshme mes Krimesë dhe Kosovës, ka qenë njëra nga pseudoargumentet e propagandës ruse që kur ka nisur pushtimin e Ukrainës, e që no vokabularin e tyre e quajnë “operacion special ushtarak”.

Pas gjenocidit dhe represionit të bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës nga Sllobodan Millosheviç dhe intervenimi humanitar i NATO-s ndaj spastrimit etnik, Beogradi kishte humbur të gjitha të drejtat të pretendonte çfarëdo pushteti politik mbi Kosovën. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u konfirmua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si krejtësisht e ligjshme dhe në pajtim të plot me ligjin ndërkombëtar.