Pra lajmi i gazetarisë nuk është vetëm një ideologji. Edhe pse lajmi është prodhim i politikës, sipas tij lajmi është prodhim kulturor dhe jo ndërtim politik. Nisur nga ky pikësynim lajmi ndër të tjera është sajim dhe prodhim social. Nëse bëjmë një analizë të lajmit ne do të dallonim këto veçori përcaktuese të ndërtimit të një lajmi. Këto  veçori sipas shumë hulumtimeve shkencore në fushën e mediave dhe komunikimit janë:

1. Aktualiteti: Sa më shpejt që ndodh diçka dhe sa më e shkurtër është koha prej asaj që ka ndodhur aq më tepër një ndodhi do të ketë vlerën e lajmit. Pra, afërsia në kohë është përcaktuese. Informacioni duhet të jetë i freskët. Faktori kohë është përcaktues për lajmin. Përsëritjet nuk janë të dëshiruara. Fatkeqësitë katastrofat dhe rubrikat argëtuese janë të mirëseardhura sepse ato sjellin në vazhdimësi freski dhe të reja për opinionin.

2. Negativiteti: Parapëlqehen dhe dëshirohen konfliktet. Këto përmbajnë në vetvete pasiguri për të sotmen dhe bashkëkohoren dhe në këtë mënyrë zgjojnë dhe shtojnë te pranuesit dëshirën për informacione të reja.

3. Vazhdimësia: Është një element i kërkuar i gazetarëve në ndërtimin e lajmit dhe po ashtu është mjaft i këndshëm. Tek individët me njohuri “sipërfaqësore” dhe të “cekëta” këto krijojnë një efekt. Të mirëinformuarit pajisen me informacione më të sakta dhe më të plota.

4. Identifikimi apo afërsia. Afërsia gjeografike apo kulturore ka peshë të madhe në ndërtimin e lajmit. Një informacion lokal i jep lajmit vlerë më të madhe. P.sh. nëse një makinë aksidentohet në Pejë kjo nuk do të publikohet në mediat norvegjeze. Mirëpo nëse një ushtar norvegjez me shërbim në Kosovë thyen këmbën duke luajtur futboll, kjo do të jepet patjetër në këto media. Pra, sa më afër të jetë emocionalisht ndodhia për një kulturë aq më e madhe është edhe vlera e lajmit. Dhe kjo s’ka shumë lidhje me rëndësinë e tij.

5. Sensacionalja dhe dramaciteti: Dramaciteti ose e thënë ndryshe prania e një karakteri jo të zakonshëm ka vlerë të lartë për lajmin. Thyerja e normave, përkatësisht largimi nga e zakonshmja është gjithmonë e mirëpritur. Rastet kriminale dhe katastrofat natyrore janë të parapëlqyera për t’u dhënë si lajm te pranuesi. Ka raste kur ndodhia në vetvete nuk ka dramacitet por mediat bëjnë paraqitjen e saj për të arritur efektin e dëshiruar që çon pastaj në rritjen e vlerës së lajmit.

6. Kombet elitë: Mediat parapëlqejnë materiale që kanë të bëjnë me superkombet apo superfuqitë si p.sh, SHBA, Gjermania, Franca, Italia, apo ndonjë tjetër. Andaj edhe nuk mund të jetë befasi e madhe nëse në të shumtën e rasteve i kemi lajmet nga agjencitë amerikane e pastaj nga ato gjermanë, franceze apo italianë. Lajmet nga bota e tretë pak kanë fatin ta shohin dritën e transmetimit. Pyes: ku janë shqiptarët në këtë gruplajm? Përjashtim bëjnë lajmet e tipit të skemës së norvegjezit të përmendur më sipër në pikën 4.

7. Personat elitë: Mediat janë arenë shfaqjeje për personat e elitës. Këto parapëlqejnë një ndodhi apo veprim mbi persona të rëndësisë së madhe politike, ekonomike etj. Prapaskenat komplekse që motivojnë këto veprime nuk do të ndriçohen dhe analizohen nga mediat. Kjo lehtëson “pranimin”e lehtë dhe “përpunimin e suksesshëm” të opinionit publik.

8. Mediat i krijojnë gjithashtu vetë risitë. Një numër i madh i materialit që ato paraqesin, përbëhet tërësisht nga ripasqyrimi i vetë mendimit ose qëndrimit të mediave. Këto ide dhe qëndrime mundohen të paraqiten si ngjarje me peshë. Individët me një status të posaçëm shoqëror, iu përshtaten për mrekulli mediave. Mendimet dhe hamendjet e tyre ata dinë shumë bukur t’i ofrojnë në opinion si ngjarje të pashoqe. Kështu, pa fund, “lindin” shumë intervista, kritika, komente dhe mbikomente.

9. Intensiteti. Intensiteti absolut: Katastrofa e Cernobilit tërhoqi vëmendjen e tërë botës.

10. Personifikimi: Lajmi më i mirë për të gjithë njerëzit në botë është lajmi mbi njerëzit. Për ne është më lehtë të identifikohemi me personat sesa me çështjet.

11. Qartësia: Lajmi duhet të ketë përmbajtje të qartë dhe të mos ketë mundësi të ketë dy kuptime.

12. Këta selektorë të lartpërmendur do të forcohen edhe më shumë nëpërmjet procesit “objektiv” dhe “profesional” të  punës që përdoret në sistemin organizativ të mediave. Këta përzgjedhës e “ndërtojnë” lajmin i cili ka si detyrë dirigjimin, kontrollimin dhe vetëvështrimin e sistemit tonë kombëtar e shoqëror. Pra, me fjalë të tjera lajmi është prodhim i njeriut, është një realitet i ndërtuar në mënyrë shoqërore. Pra lajmi nuk është objektiv, ai gjithmonë ndërtohet nga dikush e për dikë.

Dhe në fund një pyetje: Po ma thoni se cili nga ne, në këtë botë është i pandikuar dhe kush sajon lajme të pandikuara?

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]