Gëzim Mekuli

Një studim i kryer nga Universiteti i Oksfordit në vitin 2015 tregon se çdo javë rreth gjysma e konsumatorëve të lajmeve, nga 26 vende të botës, i gjejnë dhe i lexojnë lajmet në mediat sociale. Sigurisht, ky studim është i vlefshëm edhe për shqiptarët, sepse Facebook-u është bërë kanali kryesor i lajmit për konsumuesin shqiptar.

Në një sondazh të Departamentit për hulumtime sociale të vitit 2011, argumentohet se një e treta e të anketuarve thonë se Facebook-u është një nga tre burimet më të rëndësishme për gjetjen e lajmeve në internet.

Ju pëlqen!

Duhet nënvizuar se përdoruesit e Facebook-ut marrin lajmet e tyre nga pak burime gazetareske. Këta konsumues të lajmeve, zakonisht janë të fortifikuar në grupe, të cilët nuk pëlqejnë të shohin e as të lexojnë burime të ndryshme të lajmeve.

Këtë përfundim e gjetën hulumtuesit nga Italia dhe SHBA. Hulumtuesit studiuan 376 milionë përdorues të Facebook-ut nga pjesa më e madhe e botës. Studiuesit hulumtuan se sa faqe të lajmeve në Facebook klikohen, apo komentohen nga përdoruesit gjatë gjashtë viteve. Këta u përqendruan në 920 ofertues të lajmeve në gjuhën angleze, të cilët janë të regjistruar në Facebook.

Hulumtuesit erdhën në përfundim se përdoruesit më aktiv të Facebook-ut pëlqejnë më pak ofrues të lajmeve sesa të tjerët. Kështu, ky lexues ndikohet vetëm nga një përmbajtje e lajmit. Ky konsumues i lajmit informohet shumë pak dhe njëanshëm, ndryshe nga sa mund të ishte i informuar sikur të lexonte lajmin nga burimet e ndryshme të gazetareske.

Në lidhje më këtë duhet ringritur shqetësimin rreth konsumimit të lajmit shqip, lajm që po plasohet në Facebook, e më pas në media tjera sociale, e gjerë tek radiotelevizioni publik (RTK dhe TVSH). Nuk kemi, akoma ndonjë studim serioz apo ndonjë nismë shkencore për vetëdijesimin e konsumuesit të lajmit shqip.

Një gjë dihet: Hapësira publike shqiptare është gjithashtu e rrezikuar nga “lajmi i plasuar në Facebook”, nga propaganda dhe nga “lajmi i rremë”. Ky lajm ka zakonisht tre dërgues:

– Lajm, i cili është i prodhuar dhe i postuar nga pushteti ose nga partitë politike.

– Lajmi, i plasuar nga interesat e fuqishme ekonomike.

– Lajmi i cili përkthehet në gjuhën shqipe marrë nga mediat e huaja pa ndonjë filtër e pa asnjë analizë paraprake shkencore (këtu do të përmend përkthimin e lajmit nga serbishtja dhe greqishtja në gjuhën shqipe, si dhe plasimin e këtij llojit të “lajmit” si prodhim vetanak të gazetarisë/medias shqipe).

Lajmi sot është municioni më efikas për të arritur qëllimet politike dhe ekonomike. Këto qëllime më së miri e më së lehti arrihen përmes lexuesve të cilët lexojnë lajmin në gjuhën të cilin e duan dhe e kuptojnë më së miri, duke mos qenë të vetëdijshëm se janë shndërruar në “njerëz robotë” të gjeopolitikave dhe interesave ekonomike “të të tjerëve”.

2017

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.