Qeveria e Kosovës ka vendosur të premten të bëjë shkallëzimin e sanksioneve që i presin qytetarët që nuk e respektojnë afatin e vendosur për kthim të targave ilegale në ato RKS deri më 31 tetor.

Pas kërkesave të ndërkombëtarëve që afati i kthimit të targave ilegale në ato RKS të shtyhet edhe për dhjetë muaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpalosur në mbledhjen e Qeverisë vendimin që sipas tij “është përgjigje për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë”.

“Ato janë targa ilegale. Qeveria ka obliguar qytetarët t’i kthejnë në targa RKS. Tash ne kemi zhvilluar diskutime edhe të brendshme edhe me organet e sigurisë. Kemi ardhur në përfundim të sjellim propozim një vendim që bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi.

Ju pëlqen!

Për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill s’mund të ketë sepse s’mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Pra me këtë rast me këtë sekuencim dhe shkallëzim ne tregojmë seriozitetin tonë që padyshim ta zbatojmë vendimin që kemi marrë e t’u japim shanse të gjithë atyre që dëshirojnë të integrohen”, ka thënë Kurti duke arsyetuar propozimin.

Ja postimi i Kryeministrit Kurti në facebook:

Në mbledhjen e dytë të Qeverisë këtë javë, qartësuam zbatimin e vendimit për targa, që nis me 1 nëntor.

I ndarë në tre etapa dhe shkallë, zbatimi fillimisht nisë me masën e dhënies së vërejtjes deri më 21 nëntor. Pastaj me masën e gjobitjes nga 21 nëntor 2022 deri më 21 janar 2023.

Nga 21 janari 2023 deri më 21 prill 2023 do të vendosen targat provuese për veturat me targa ilegale. Ndërkaq pas datës 21 prill të vitit 2023, nuk do të lejohet qarkullimi i veturave me targa ilegale.

Në këtë mënyrë kemi treguar vendosmërinë për zbatimin e vendimeve tona dhe përkushtimin e kontributin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, e që ishte edhe brengë e partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë. Jemi të bindur se sundimi i rendit e ligjit dhe paqja e siguria shkojnë e mirëmbahen bashkë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!