Patrrioti i madh i kombit Gjergj Fishta ka qenë po aq i spikatur edhe në gazetari. Lajmet e shkruar prej tij, vecanërisht në “Hylli i Dritës”, revista që ai e drejtoi për shumë vite me radhë, janë shkollë e të shkruarit të lajmit edhe për gazetarët e sotëm shqiptarë, shkruan MekuliPress.com

Më poshtë janë renditur katër nga lajmet e shkruara për “Hyllin e Dritës”. Në pak radhë përvec informacionit, shkëlqen edhe humori i jashtëzakonshëm i Fishtës.

Shkodër — Në Shkodër punët si herë për here… rrena, pluhun e baltë, kual e katana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipënija sa të duesh. Por punë, pa të cilat s’ka si rrnon Shqipënija, pak e aspak. Gjindja janë ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash pale se shka po u bjen nana, vida-Europë, por për nji herë prit, Zot, veç mizat. E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën, u shkyen gërmazash tuj folë për Shqipëni e tuj punue për vedi! Për Shqipëni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Lesh — Si filloi me ra dielli kah prendimi, kush muer malin, kush muer fushën e në Lesh s’mbet ma kush i huej, posë mushkajash. Puna ma e forta e ma e interesantshmja e asajë dite kje, qi nja tre a katër kasapë të pazarit të Lezhës u ngatrruen për nji lëkurë dhijet e kjenë gadi kah coptohen në vërcakë, po mos të qillueke me u hi ndërmjet Bajraktari i ri i Bajrakut të Lezhës. (Hylli i Dritës, nr 1, 1913)

Vlonë — Vlona, qi deri dje ka pasë kenë njoftë në Shqipëni ma së fortit për krypë dhijësh e për gurë pushkësh të gjata, sot, madje, n’uzdajë të Smajl Qemalit e të Qeverisë së tij, si edhe të Doganës, na duel punë e madhe. Kush për këshill e kush për miell, të gjith po ngasin në Vlonë… E qe se edhe Komisioni Ndërkombëtar, (uh! sa i gjatë me u shkrue ky emën Komisioni Ndërkombtar i Kontrollit u shkarkue ma së parit në Vlonë. (Hylli i Dritës, nr 2, 1913)

Tiranë — Duket se në Tiranë punët janë kambë e krye e, mbas gjaset, kanë me mbetë gjith hera ashtu. Po kah vinë këto ngatrresa? Dikush thotë prej ujit të Tiranës, pse tuj pasë ujët gëlgere, u çon peshë dejt atyne qi rrijnë mrendë. Disa thonë, me shum arsye, se asht interesa. Të jetë si të jetë, punët janë fort të këqija. (Hylli i Dritës, nr 8, 1921)./ /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]