Deri më dje lexonim se Meta dhe Berisha kanë një konflikt mes tyre, se Berisha e injoroi, madje sabotoi protestën e kreut të PL-së në Sharrë. Madje madje, Meta po izolonte Berishën ca kohë.

Sot, teza ka ndryshuar, sot opozita u bashkua por na u përça Partia Demokratike. Sipas analistëve të PS-së Sali Berisha braktisi Enkelejd Alibeajn dhe Agron Gjekmarkajn për Petrit Vasilin. Këtë të fundit e dimë si hyri në politikë, edhe në Parlament. Gjekmarkajn jo, edhe pse ky i fundit ka ndërruar qëndrime sa herë. Pra Berisha mori në qafë PD-në sapo u bashkua me Metën.

Mundet të jetë edhe kështu. E thonë analistë rrace një gjë të tillë, të pavarur deri në bezdi.

Ju pëlqen!

Puna është se edhe sikur të jetë kështu, Alibeaj dhe Gjekmarkaj, e kanë me detyrim që ose të dalin grupim më vete, ose të rrinë pasivë në planin elektoral, ose aleancën sërish e kanë me opozitën. Përndryshe ylberin e 17 majit nuk e kalon sërish ndonjë përfaqësues i së djathtës, pse në finale logjika, interesi, por edhe një minimum intuite e kërkon që kundërshtar të jetë vetëm një: Edi Rama. Përndryshe për çfarë politike po flasim?

Loja mediatike me përçarjen e PD-së është artificiale për dy arsye: së pari se ajo ka kohë që ekziston dhe ushqehet vetëm nga interesa të ambasadave dhe e dyta sepse ajo nuk po shoqërohet me ndonjë lloj histerie apo stigme mes palëve si ajo që kemi parë me kopenë socialiste në kohën e KPD-së. Sigurisht që ka lojëra, manovra, intriga e të gjitha me radhë, por ato janë pjesë e menusë politike.

Edhe i akuzuari i madh, Berisha po e ruan autoritetin e vet në mënyrë më demokratike sesa Edi Rama në PS. P.sh këta analistë dinë të na thonë pse u largua Arben Ahmetaj nga qeveria? Apo si u vu Erion Veliaj për të kandiduar? Apo këto po u thanë prishin unitetin?

Kjo është një gazetari arkivi, nga ato të llojit më të keq. E vetmja që i ka hije pushtetit të sotshëm. Dhe atyre që e bëjnë në fakt.

s.zaimi

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!