Kryeministri Albin Kurti ka ftuar në takim krerët e partive opozitare për të diskutuar në lidhje me situatën në veri të Kosovës.

Takimi i ftuar nga kryeministri do të mbahet të martën.

Ashtu siç pritej PDK do të merr pjesë në këtë takim.

Ju pëlqen!

Zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu ka thënë se Krasniqi ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim.

“Kemi pranuar një kërkesë për takim nga kryeministri dhe kryetari i PDK-së Memli Krasniqi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim”, ka thënë ai.

Lulëzim Blaka, drejtor për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun në AAK ka konfirmuar poashtu se Haradinaj do të merr pjesë në takim.

“Kryetari Ramush Haradinaj është ftuar për takim nga Kryeministri Kurti, për të martën në mëngjes, për të diskutuar zhvillimet në vend, veçanërisht atyre në veriun e vendit. Konfirmoj se Haradinaj do të merr pjesë në këtë takim”, është shprehur ai.

Ndryshe sot PDK përmes një letër publike ka shprehur gatishmërinë e saj për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë e Kosovës rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për situatën në veri ka ftuar institucionet e Republikës për koordinim të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët tjerë evropianë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka thënë se kryeministri Albin Kurti po e ndihmon skenarin e Serbisë për dështimin e planit franko-gjerman, për marrëveshjen finale me njohje reciproke.

Më 30 tetor Qeveria mori vendim për zbatimin e vendimit për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe me targa të Kosovës: RKS, përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve që ky vendim të shtyhet për dhjetë muaj.

Plani i ri i Qeverisë së Kosovës, i publikuar më 28 tetor, pritet të zbatohet në tri faza. E para përfshin qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Pas publikimit të planit me tri faza, Shtetet e Bashkuara u shprehën “të zhgënjyera dhe të shqetësuara” me mos shtyrjen e vendimit edhe për dhjetë muaj të tjerë, ashtu siç kërkuan ato.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!