Kryesia e Kuvendit të Kosovës, nën drejtimin e kryeparlamentares Vjosa Osmani, sot ka mbajtur mbledhje në mënyrë elektronike, me platformën ZOOM.

Kryesia ka vendosur që më 9 korrik, Kuvendi t’i vazhdojë punimet e dy seancave të papërfunduara, më 11 dhe 23 qershor 2020, si dhe më pas të mblidhet në seancë të re, transmeton Zeri.info

Sipas njoftimit të Kuvendit, në orën 10:00, pritet votimi i pesë projektligjeve: Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

Ju pëlqen!

Në orën 10:30, ndërkaq, do të hidhet në votim Propozim-rezoluta nga raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Prej orës 11:00, Kuvendi do të hyjë në seancë të re, e cila do të fillojë me pikat e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Seanca do të vazhdojë me zgjedhjen e një kandidati për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe shqyrtimin e Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-(ARRI) për vitin 2019.

Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për miratimin e buxhetit, do të jetë pikë e radhës, për t’u pasuar me formimin e dy komisioneve ad-hoc: Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, si dhe atij për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Gjatë mbledhjes së kyresisë, Osmani shprehu shqetësimin për faktin se Qeveria ende nuk e ka dërguar opinionin për nismën e Kuvendit për Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjë që do të mundësonte trajtimin e ligjit në seancë. Ajo theksoi se situata emergjente kërkon veprime të shpejta e jo bllokim për gati një muaj të këtij ligji, ndaj paralajmëroi që nëse Qeveria nuk e sjellë opinion deri të enjten, ajo në seancë do të propozoje shmangie nga rregullorja në mënyrë që të procedohet ky ligj urgjentisht.

Po në këtë seancë pritet shqyrtimi i propozimit të deputetit Bedri Hamza, mbështetur edhe nga 20 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, si dhe i rekomandimit të Komisionit Funksional për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

“Seanca mund të plotësohet më pika të tjera të rendit të ditës, nëse ato i plotësojnë kushtet formale-juridike, deri në ditën e seancës.

Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri tri iniciativa ligjore, të propozuara nga GP i Vetëvendosjes: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256, Projektligjin për Peticione, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-064 për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Po ashtu, u miratua rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Transfere për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave 2021/01.

Në këtë mbledhje të Kryesisë u diskutua edhe për domosdoshmërinë e respektimit të masave mbrojtëse nga Covid-19, gjatë seancave dhe punës së Kuvendit në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!