Gjuhëtarë, psikologë e analistë thonë se deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, nuk njohin rregullat e debatit, u mungon kultura dhe edukata e punës.

Që nga Pavarësia e Kosovës e deri më tani vendi ka mbajtur një sërë zgjedhjesh parlamentare, prej të cilave kanë dalë emra të ndryshëm, që përfaqësojnë popullin tonë në Kuvendin e Kosovës.

Përveç disa emrave, të cilët me çdo kusht i qëndrojnë fjalës së tyre dhënë popullit në kërkim të votës, ka shumë deputetë që arrijnë brenda një kohe të shkurtër të marrin zhgënjimin e qytetarëve që i votuan, raporton “Zeri.info”.

Ju pëlqen!

Seancat parlamentare kanë hapësirën më të madhe mediale në Kosovë, por edhe ndiqen më së shumti nga qytetarët e Kosovës, të cilët presin të marrin përgjigje për problemet e tyre nga deputetët. Në vend të përgjigjes për problemet e tyre, qytetarët po shohin luftë personale dhe politike ndërmjet deputetëve.

“Pulë”, “E shkretë”, “Sherife”, “Egërsira”…, me krejt këto fjalë i janë drejtuan njëri-tjetrit deputetët në seancën e fundit të mbajtur më 24 korrik.

Gjuhëtarë, psikologë e analistë thonë se deputetët nuk janë të përgatitur politikisht, nuk njohin rregullat e debatit, u mungon kultura dhe edukata e punës.

Mentor Hajrizi, gjuhëtar, thotë për “Zërin se gjuha shqipe është duke u çnderuar pamëshirshëm nga deputetët.

Sipas tij, shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës flasin dhe shkruajnë fjalë të gabuara gjuhësore ose, siç i quan ai, barbarizma gjuhësorë.

Gjuhë të llafazanëve dhe të pakulturë

“Përdorimi dhe zotërimi i gjuhës standarde shqipe është domosdoshmëri. Prania e normave është njëra nga veçoritë themelore të saj, mirëpo në fjalësin politik të shqipes në Kosovë janë zvetënuar normat e shqipes standarde. Ky zvetënim posaçërisht është një provë e qartë dhe shumë bindëse se gjuha standarde shqipe është duke u çnderuar pamëshirshëm nga të ashtuquajturit ‘deputetë’. Në ligjërimin e këtyre përfaqësuesve jo të dinjitetshëm, që unë do t’i quaja ‘deputetë të seancave’, na bie rasti që shpesh të dëgjojmë a të lexojmë fjalë me forma të gabuara gramatikore dhe fjalë që më së shumti janë barbarizma gjuhësorë”, ka thënë për “Zërin” Hajrizi.

Deputetët, të cilët përdorin fjalor të shthurur, ai thotë se pasqyrojnë gjuhë të llafazanëve dhe të pakulturë, ndërsa e quan të pafalshëm përdorimin e fjalëve dhe të epiteteve që ia japin njëri-tjetrit, duke vlerësuar se me fjalor të tillë këta deputetë do të duhej të përballeshin me ligjin.

“Gjuha e përdorur e deputetëve tanë pasqyron një gjuhë të llafazanëve dhe vetë kulturën e tyre në të shprehur, në radhë të parë për veten e në radhë të dytë për tjetrin. Epitetet, si: lopë, kalë, hajvan, derrkuc, kriminel, hajdut, paranojak etj. janë fjalë përbërëse të gjuhës denigruese dhe të urrejtjes. Janë të pafalshme epitetet e tilla. Sikur të funksiononte ligji në vend me të drejtë do të duhej të merreshin masa ndëshkimore ndaj përdoruesve të gjuhës së shkujdesur në institucionet publike nga ana e përfaqësuesve të popullit”, thotë Hajrizi.

Hajrizi thotë më tej se diskursi politik i deputetëve kosovarë më shumë karakterizohet nga demagogjia e shpeshtë dhe komizmi dhe më pak nga plani serioz, logjik e moral.

Redaktori gjuhësor dhe mësimdhënësi Mentor Hajrizi thotë se deputetëve të Kuvendit të Kosovës u mungon kultura dhe edukata e punës dhe sipas tij nuk janë të përgatitur politikisht.

“Në udhëkryqet e historisë, në rrugët që do të na bllokonin drejt përparimit të shtetit tonë, gjuha joparlamentare sqaron opinionin ndërkombëtar dhe popullin se deputetëve tanë u mungon edukata e punës, kultura, nuk janë sa duhet të përgatitur politikisht, nuk kanë arritur në nivelin e duhur pjekurinë politike dhe shpesh në procese vendimtare për vendin kanë kërkesa akute”, ka thënë Hajrizi për “Zërin”.

Deklarata e psikologes: Deputetët kanë deficit të kulturës gjuhësore, të komunikimit dhe të mirësjelljes

Profesoresha universitare në fushën e psikologjisë, Donika Shahini-Lami, thotë se mënyra sesi komunikojnë deputetët, por edhe politikanët e tjerë tregon se ata kanë një deficit të kulturës gjuhësore, të komunikimit dhe të mirësjelljes.

“Paaftësi në përballje dhe probleme të theksuara të komunikimit. Deputetët tanë nuk kanë respekt dhe kujdes për publikun që i drejtohen. Gjuha e tyre e përdorur është e papranueshme dhe e ulët. Fatmirësisht jo nga të gjithë! Do të ishte mirë sikur kolegët e tyre të distancoheshin nga kjo gjuhë, që thotë të pavërteta, informata të paverifikuara, të cilat mund të cilësohen paragjykime dhe shpeshherë edhe shpifje”, thotë ajo për “Zërin”.

Etiketimet banale si “e shkretë”, “hajn”, “grupe kriminale”, “pelë”, “lopë”, “pulë” psikologja Shahini-Lami thotë se kalojnë prezencën personale në seancë. “Pra, deputetët përveç nivelit personal me njeri-tjetrin, gjuhën e fyerjeve e adresojnë edhe te familjarët e kolegëve të tyre, duke përmendur edhe prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët. E ulët dhe mjeruese. Familjarët e tyre nuk janë pjesë e politikës, por mbase filli i problemeve të tilla buron qysh në familje”.

Shahini-Lami thekson se degradimi i fjalorit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës po thyen të gjitha rregullat e paraqitjes publike, si dhe ligjet në fuqi.

“Debat degradues, gjuhë ofenduese që pothuajse e dëgjojmë në çdo seancë të Kuvendit të Kosovës. Rastet e fundit kur disa deputetë përdorin fyerje nga më të ndryshmet dhe më poshtërueset vënë në pah mungesën themelore mbi njohjen e rregullave të debatit, në veçanti atij parlamentar me replika shterpë, krejtësisht monotone dhe pa përmbajtje cilësore”, thotë ajo.

Kuvendit, sipas saj, i ka humbur serioziteti dhe imazhi normal, për shkak të gjuhës së tillë degraduese gjatë seancave.

Shahini-Lami thotë se kjo tregon edhe për mungesën e vet integritetit të këtyre deputetëve, të cilët, siç shprehet ajo, e kanë një fjalor të tillë dhe atë e përdorin në Kuvend, madje edhe në diskutimet e tyre të përditshme kjo është gjuha me të cilën shumë prej tyre komunikojnë dhe është vështirë tash që ata të komunikojnë me një gjuhë tjetër kur janë brenda seancës parlamentare dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.

“Mënyra sesi komunikojnë deputetët tregon se kanë një deficit të kulturës gjuhësore, të komunikimit dhe të mirësjelljes. Kjo po duket se po vjen edhe prej një vetëbesimi të tepruar të tyre, por që në thelb bazën e ka te mospërgatitja e tyre profesionale, jolexueshmëria, duke u bazuar në faktin se një pjesë dërrmuese e tyre as që dinë të lexojnë atë që pretendohet se e kanë shkruar vetë. Paraqiten me një vetëbesim të pabazuar, me informata të paverifikuara dhe me nivel krejtësisht joadekuat për pozitat e tyre. Njëfarë ‘autoritarizmi’ prapa të cilit fshihen, me arrogancën prej pushtetari dhe krejtësisht të dëmshme për mesazhin që përçojnë. Për këtë gjuhë kaq degraduese që janë duke e përdorur ata japin shembullin më të keq në shoqëri dhe duhet ta marrin dënimin e merituar”, thotë Shahini-Lami.

“Të menduarit shpeshherë u mungon të zgjedhurve tanë”

Ajo apelon që Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës të promovojë tolerancë, mirësjellje e gjuhë demokratike. Në të kundërtën thotë se do të duhej që të kishte masa ndëshkuese për ata që bëjnë një gjuhë të tillë.

“Diskursi dhe sjelljet, me të cilat përfaqësues të caktuar të partive politike shërbehen në paraqitje publike e edhe në Kuvend, reflekton mungesën e intelektualizmit në politikë. ‘Kriminel’, ‘hajn’, ‘mashtrues’, ‘po rren’, ‘mbylle gojën’, ‘shpifës’, janë vetëm disa nga etiketimet që deputetët e Kuvendit të Kosovës ia bëjnë njëri-tjetrit pothuajse në çdo seancë”, thotë ajo

Në analizën e saj për deputetët psikologja Shahini-Lami thotë se shpeshherë deputetët tanë i karakterizon një gjendje psikike jostabile.

“Zgjidhja e problemeve dhe e situatave problemore është e varur nga të menduarit dhe nga proceset e tij. E të menduarit shpeshherë u mungon të zgjedhurve tanë. Flasin pa menduar fare, fatkeqësisht!”.

Analisti Albert Krasniqi ka thënë se debati në Kuvend devijon shumë shpejt.

“Deputeti nis fjalimin me ‘i nderuari dhe shumë i respektuari deputet’ e pa i përfunduar as dy fjali vazhdon me ‘rri qaty, mos fol’. Nuk e di nëse deputetët i kanë parë matjet e fundit të opinionit publik të “NDI Kosova”, por 60 për qind e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se niveli i etikës së deputetëve aktualë në Kuvendin e Kosovës nuk është i mirë – është i dobët”, ka thënë Krasniqi.

Ai në një reagim të tij në llogarinë e tij “Facebook” ka thënë se deputetët i bëjnë mirë vetes, por edhe neve, nëse tregojnë veç pak edukatë.

“Aq pak sa vetëm të mundë t’i dëgjojmë. Duke bërtitur e fyer nuk ofrojnë asnjë argument për pretendimet e tyre. Përkundrazi!”, ka thënë Krasniqi.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!