Politika kosovare në përgjithësi dhe e djathta, në veçanti, kanë preferuar të heshtin pas zhvillimeve dramatike në kampin opozitar shqiptar, që kulmuan me një Kuvend të pazakontë, por madhështor, të thirrur nga vetë delegatët e Partisë Demokratike.

Foltorja e liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, e ka ringjallur frymën opozitare, si rrallëherë në Shqipëri.

Kjo furtunë ndryshimi, u nxit pasi ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha përjashtoi pa përfillur forumet partiake, Berishën, pasi SHBA-të e shpallën ‘non grata’, në një proces të dyshimtë falë lobimeve anti-shqiptare.

Përtej tematikave të shtjelluara gjatë një seri Foltoresh që ngritën në këmbë të djathtën shqiptare, politika jonë nuk do të duhej të heshtte, kur përmendej rasti i Kosovës.

Nuk ka asnjë Foltore, ku nuk është theksuar kostoja politike dhe njerëzore,me të cilën u përball ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për shkak të refuzimit të një plani monstruoz për ndarjen e Kosovës.

Politikanët e Prishtinës mund të ndihen komodë në pozicionet e tyre, por së paku një gjysmë fjale është dashur ta thonë për dobinë e madhe që i solli Republikës pozicionimi kombëtar i një lideri me kaq ndikim siç është Berisha.

Partitë që e mbajnë veten të djathta në Kosovë e që janë shumica, e mbyllën gojën ndaj zhvillimeve në subjektin homolog në Shqipëri, edhe pse çdo lëvizje atje, reflektohet herët a vonë edhe në stabilitetin politik kosovar.

Kuvendi i demokratëve, që u rikthye në themelet e shëndosha mbi të cilat u krijua Partia Demokratike, që rrëzoi komunizmin më të egër në Evropë, është një shembull shpëtimtar për demokracinë e sunduar shqiptare nga grupe e interesa që tejkalojnë kufijtë e Shqipërisë.

Një PD e fortë në opozitë dhe e reformuar nesër në pushtet, sjell dobi të madhe për Kosovën.

Në kohën kur kryeministri socialist Edi Rama në mandatin e tretë radhazi, kishte futur në dorë edhe lidershipin e opozitës pasi bleu zgjedhjet, ndërsa në anën tjetër e trashi miqësinë me Aleksandër Vuçiqin që tallet me masakrën e Reçakut, Kosova u bë gjithnjë e më e izoluar dhe e vetmuar.

Nuk është etike që lidershipi i djathtë kosovar të mbajë anë në një përplasje brenda një partie që po kalon një krizë, megjithatë, është papërgjegjësi të tregohesh kaq indiferent ndaj këtyre zhvillimeve me peshë, jo vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarët kudo që janë.

Natyrisht, nuk do ta zgjidhin kontestin dy tre reagime nga Kosova, sepse kauzën e demokratëve e morën në duart e tyre vetë ata, por ka qenë e udhës një shprehje solidariteti e mbështetjeje për demokratizimin dhe hapjen e një partie qëndrestare kundër diktaturës komuniste, pa pasur nevojë për t’u pozicionuar ndaj figurave të caktuara.

Është e qartë se edhe në Kosovë, lobingjet e Sorosit, të cilin e bën përgjegjës Berisha për skenarin e ndarjes së Kosovës, kanë ndikimin e tyre.

Mjafton të shikosh lajmet në mediat që marrin fonde nga Sorosi apo komentet e atyre që kanë përfituar nga ai.

Me gjasë, edhe partitë e djathta kosovare, për të mos prishur interesat e tyre të ngushta, vendosën të heshtin.

Politikanët kombëtarë e të guximshëm shihen në ditët e vështira. Një heshtje që nuk u bën nder!

© SYRI.net