Gezim Mekuli, pikturoi Gazmend Freitag
Gezim Mekuli, pikturoi Gazmend Freitag
 
Kush e sajon lajmin ndërkombëtar për shqiptarët? E dëmton, apo e ndihmon, kulturën dhe politikat tona lajmi për shqiptarët i ndërtuar nga joshqiptarët?
Mënyra e ndërtimit dhe ndërmjetësimit të lajmit ka rëndësi të madhe në paraqitjen e mirë apo të keqe të një populli.
Mbroj mendimin se asnjë kanal televiziv, gazetë apo radio, veçanërisht ato të lajmeve, nuk janë objektive dhe nuk janë të cliruara nga interesat politike dhe ekonomike.
Të gjitha kanalet televizive e shohin botën nga perspektiva e tyre politike, ekonomike dhe kulturore. Shumë ndodhi e lajme ndërtohen sot nga mediet me fuqi të madhe politike, kulturore e ekonomike. Këto shpesh edhe paraqesin, edhe prezantojnë kombe, kultura dhe procese të ndryshme politike të vendeve nga mbarë bota.
Por ndërtimi i lajmit për një komb tjetër është me përgjegjësi të madhe dhe shumëndërlikuese. Prandaj shumë shtete me dominim global nuk pajtohen që të flitet rreth tyre duke u bazuar në lajmin që përpunohet nga të tjerët e kultura të tjera. Andaj alternativë e mirë për këta popuj është që fotografia kulturore, ekonomike dhe politikave vetanake të sajohet e të plasohet në opinionin ndërkombëtar nga mediat e shteteve të tyre.
Të nderuar lexues,
Këtu do të marr si shembull senatorin rus Slutsker, i cili ka kohë që tha se është “më se e domosdoshme themelimi i një kanali televiziv ndërkombëtar për popullin hebre. Ky planifikon që të themelojë një kanal televiziv global hebre. Dëshira është që t’i bëhet konkurrencë, në mes tjerash, kanalit televiziv arab “Al Jazeera International”.
Televizioni arab “Al Jazeera International” që nga fillimi i transmetimit të lajmeve televizive në gjuhën angleze (2006) ka arritur të fitojë një popullaritet dhe besimin e më shumë se 100 milionë pranuesve televizivë nga e tërë bota. Ky megatelevizion ka respekt dhe ndikim të fuqishëm edhe në SHBA dhe intelektualët e vendit. Në rrafshin e medieve ndërkombëtare dhe në peshën që “Al Jazeera Internacional” ka sot, ky stacion gjigant televiziv është duke u krahasuar me “BBC World” dhe “CNN International”. Reporterët e këtij televizioni ndërkombëtar thonë se misioni i këtij kanali televiziv është të ndërtojnë ura mes kombeve, kulturave e feve, të kërkojnë të vërtetën dhe të ndryshojnë botën.
“Al Jazeera” flet në gjuhën angleze
Sot televizioni global ka të bëjë, përpos ndërtimit të urave mes njerëzve, edhe me ndryshimin e stereotipave të fotografisë së botës. Kjo është “luftë për të vërtetën”. Politika redaktuese e këtij televizioni është që opinionit publik amerikan t’i ofrohet një fotografi tjetër për arabët dhe për Lindjen e Mesme. Ky stacion televiziv ka si qëllim të çojë përpara interesat amerikane.
Është fakt se para ca vjetësh të gjitha lajmet për Lindjen e Mesme, arabët i kishin të përgatitura, të ndërtuara e të lançuara nga europianët. Këtë fenomen e hulumton shkencërisht edhe filozofi i madh i shekullit, amerikani me prejardhje palestineze, katoliku i mbështjellë me kulturën myslimane, profesori i universiteteve më me reputacion në SHBA Edward Said. Mirëpo sot është e kundërta: janë arabët (“Al Jazeera”) ata që transportojnë dhe ndërtojnë lajmin në Europë dhe për europianët.
Lufta ndërkombëtare për ‘pushtimin’ e lajmit dhe të fotografisë, ka sot një trekëndësh: Europën, Lindjen e Mesme dhe SHBA-të si epiqendër.
E them këtë sepse është vetë Franca ajo që më 6 dhjetor 2006, pra vetëm tri javë pasi “Al Jazeera International” filloi transmetimin ndërkombëtar në gjuhën angleze duke hapur kanalin televiziv ndërkombëtar “France 24”. Dhe këtë, përpos gjuhës franceze, televizioni “France 24” ka edhe versionin e tij në gjuhën angleze. Edhe Rusia e Putinit, në vitin 2005, filloi me kanalin e saj televiziv “Russia Today TV”. Ndërsa Kina këtë strategji mediatike e kishte filluar që në vitin 2000 me kanalin televiziv “CCTV-9”.
Që të dyja këto kanale televizive servojnë dhe lançojnë ndodhitë e botës në gjuhën angleze për 24 orë rresht. Dhe këto emisione gjenden falas edhe në internet. Qëllimi parësor i këtyre televizioneve është që të pasqyrojnë e ta “fotokopjojnë” botën, por tani, duke e parë nga këndi politik dhe kultura kineze dhe ruse.
Ishte ish-presidenti francez Zhak Shirak nismëtari dhe arkitekti i kanalit televiziv “France 24”. Ndërsa për kanalin televiziv “Al Jazeera International” është emiri nga Katari garantuesi i këtij televizioni, për televizionin “France 24” është shteti dhe qeveria franceze ajo që qëndron si garantuese e tij.
Arsyeja kryesore për të themeluar kanalin televiziv “Al Jazeera” ishte lufta në Irak në vitin 2003 dhe mbulimi mediatik i kësaj lufte. Na kujtohet se ishin vetëm dy kanale televizive që bënë mbulimin me lajme rreth luftës në Irak: “CNN International” dhe “BBC World”. Francezët dhe opinioni intelektual francez mendonin dhe dyshonin se perspektiva e tyre politike dhe kulturore ishte injoruar apo edhe ishte dobësuar nga lajmi i televizioneve CNN dhe BBC.
Duhet nënvizuar se këto kanale televizive njihen për ‘objektivitetin’ e tyre në lajm. Mirëpo francezët e Viktor Hygoit nuk e pëlqyen këtë. Sipas tyre, të gjitha lajmet dhe informacionet prezantohen e ndërtohen nga perspektiva kulturore e atij që e raporton dhe ndërton lajmin.
Andaj televizioni “France 24” i kushton rëndësi të madhe edhe kulturës, politikës dhe gjuhës franceze. Ky televizion ushqen me lajme dhe informacione mbi 76 milionë pranues në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Qëllimi këmbëngulës e kokëfortë i “France 24” është që të çojë përpara vlerat franceze, politikën, kulturën dhe gjuhën franceze. Dhe ky është një mision i shenjtë i kombeve inteligjente. Këtu fshihet arma e fuqishme, e ashtuquajtura “diplomacia publike” (Public Diplomacy).
Sot nuk është me rëndësi të fitosh shikuesit vetëm në televizionin kabllor e satelitor. Jo, sot e rëndësishme është të fitosh luftën mbi fotografinë dhe zërin; të dominosh e të kontrollosh në mënyrë pozitive fotografinë dhe zërin e kulturës dhe interesave të kombit.
Dhe kjo luftë për lajmin dhe fotografinë, me “gjykim të zorit”, duhet të zhvillohet në gjuhët me ndikim të fuqishëm në marrëdhëniet diplomatike e politike. Për shembull, televizioni “France 24” ngarkon në internet emisionet e tij në gjuhën arabe, franceze dhe në gjuhën e konkurrencës: atë angleze.
Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me një luftë klasike, rrënuese, ballkanike të gjuhëve, por më shumë me një luftë të ideologjive.
Është kjo luftë e mediake për të dominuar me lajmin dhe informacionin e botës, por tanimë me lajmin të parë nga perspektiva, kodet, politike, qëllimet, historia dhe kultura vetjake.
Patjetër lufta për të mbizotëruar në “mediat pa kufi” është shndërruar edhe në një çështje politike, çështje e cila është paketuar me idealet gazetareske për objektivitetin dhe baraspeshën. Në këtë mënyrë “France 24” ka arritur një popullaritet jashtëzakonish
Informimi politik është parësor në këtë luftë mediatike.
Bile, së voni edhe Afrika dëshiron që në lajmin ndërkombëtar të thotë fjalën e saj për veten e saj. Kontinenti afrikan dëshiron lajme të ndërtuara nga afrikanët, jo nga të tjerët: e duan lajmin të brumosur e të parë nga perspektiva dhe kultura afrikane. Andaj Afrika lançoi kanalin e saj televiziv “SABC”. Opinioni intelektual afrikan nuk është i kënaqur me “fotografinë e Afrikës”, që ndërtohet e shpërndahet nëpër lajmet ndërkombëtare.
Afrikanët nuk janë të kënaqur vetëm me paraqitjen e “fotografisë së zezë” të katastrofave dhe të dominimit të varfërisë afrikane. Ky kanal televiziv afrikan ofron edhe lajmin nga ana tjetër, anën tjetër të panjohur e të mosparaqitur të saj: kulturën, traditën, artin, gjuhën, ekonominë, edukimin, florën, faunën dhe turizmin.
Është e qartë se të dyja kanalet, si “Al Jazeera International”, ashtu dhe “France 24”, kanë hyrë në luftën globale mediatike. Siç shihet, këto dy kanale duan të jenë alternativë demokratike të lajmit anglo-amerikan.
SHBA-të dhe Arabia Saudite i janë përgjigjur fuqizimit të “Al Jazeeras” duke themeluar dhe lançuar dy kanale të tjera televizive panarabike: “Al Hurrah” dhe “Al Aarabyia”. E në anën tjetër janë edhe rusët në turrin e tyre mediatik për të pushtuar mendjen dhe ndjenjat e arabëve. Kështu themelohet dhe fillon punën “Rusyia Al-Yaum”, kanali i parë i lajmit televiziv rus në gjuhën arabe. Është ky kanal televiziv që flet në gjuhën arabe, por që si pikënisje në ndërtimin e lajmit e ka perspektivën dhe kulturën ruse.
Nëse konkurrojnë me njëra-tjetrën këto kanale globale televizive apo janë më shumë në garë me mediat vendore, kjo nuk dihet. Dihet tjetra: lufta për lajmin dhe për informacionin e ndërtuar nga perspektiva vetjake kulturore, politike, historike e sociale, ka dekada që tashmë ka filluar.
Të dashur lexues,
Ngaqë lajmi është edhe prodhim social, politik e kulturor, këtu shtrohet pyetja:
1. Kush e ndërton lajmin ndërkombëtar për shqiptarët?
2. Cili kanal televiziv prezanton shqiptarët në lajmin ndërkombëtar?
3. Nga cila perspektivë kulturore, politike dhe gjuhësore ndërtohet ky lajm e kjo fotografi?
4. E dëmton, apo e ndihmon, kulturën dhe politikat tona lajmi për shqiptarët i ndërtuar nga joshqiptarët?
Fotografia dhe lajmi për shqiptarët në rrafshin ndërkombëtar do të duhej të ndërtohej e të lançohej sa më parë nga një medium global e profesional vendor (shqiptar). Dhe së paku, kjo fotografi e ky lajm, duhet të sajohet në katër gjuhë: në gjuhën angleze, gjermane, ruse dhe franceze.
MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën me 1 Euro!