Bekim Qoku

Që gjërat nuk ndryshojnë në raport me shqiptarët e MV po e dëshmon edhe vizita e radhës e ministrit të PJ Bujar Osmani (me origjinë shqiptare) që po i bën komunitetit etnik sllavomaqedonas në Shqipëri. Ky komunitet, që është etnik dhe jo qytetar maqedonas, ka pasur gjithmonë kujdes dhe privilegje shpesh të tepruara nga shteti qytetar dhe i të gjithëve i M. së Veriut, si me bursa studentore, si me grande shtetërore, si me pensione etj.

Këtë po bënte edhe ish ministri i diasporës Edmond Ademi, që kur vizitonte diasporën e M. së Veriut, takonte vetëm qytetarët e etnisë sllavomaqedonase dhe vetëm atyre u kushtonte kujdes të posaçëm. Për Mondin shqiptarët bashkështetas nuk ekzistonin në diasporë.
Njësoj edhe kur votohej nëpër ambasadat e M. së Veriut jashtë shtetit, deputet dilnin vetëm nga radhët te sllavomaqedonasve sepse vetëm kjo etni ruante të drejtën e votës. Kishte rast që një deputet sllavomaqedonas dilte me vetëm 300 vota.
Tani pyetja është, nëse për diasporën e Shqipërisë kujdeset qeveria shqiptare, për diasporën e Kosovës qeveria kosovare, kush do të kujdeset për diasporën shqiptare të M. së Veriut? Sepse duket sheshit që qeveritarët me origjinë shqiptare të M. së Veriut nuk kanë shfaqur dhe nuk po shfaqin asnjë kujdes e interes për ta.