Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar shqiptarët për festën e 28 Nëntorit.

Ai ka thënë se 28 Nëntori bën bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e UÇK-së.

“28 Nëntori është data e cila i bashkon Skënderbeun, Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin. Pra, kjo datë është gurthemel yni që bën bashkë flamurin kuq e zi, pavarësinë e Shqipërisë dhe kryengritjen e UÇK-së. Është festa jonë kombëtare e cila na bashkon e kësaj radhe na bashkoi edhe kundrejt një fatkeqësie tragjike në zonën e Durrësit që tronditi mbarë kombin tonë, jo vetëm në Ballkan, por kudo që janë shqiptarët”, ka thënë Kurti pas homazheve që ka bërë në kompleksin e Jasharajve në Prekaz.

Kurti ka thënë se solidariteti që po tregojmë tani për njëri-tjetrin është dëshmi se kur është nevoja jemi një popull në këmbë.

“Solidariteti që po tregojmë tani për njëri-tjetrin është dëshmi se kur është nevoja jemi një popull në këmbë, të gjithë për secilin, secili për të gjithë, dhe, bashkë do t’ia dalim. Pas nderimeve te përmendorja e Ismail Qemalit në Prishtinë, erdhëm këtu në Prekaz për të bërë nderime te Jasharajt. Këtu kanë rënë gjithsej 59 dëshmorë prej të cilëve 15 kanë qenë gra e 15 fëmijë, në një betejë të paparë, jo vetëm në historinë tonë, kundrejt një rrethimi të hekurt të forcave të Serbisë. Por, ky flijim ia dha hovin vendimtar kryengritjes sonë dhe çlirimit e lirisë sonë. Shaban e Zahide Jashari, Hamëz e Feride Jashari, Adem e Adile Jashari dhe Zarife Jashari me gjithë familjen e farefisin u flijuan për lirinë tonë, për pavarësinë tonë, për bashkimin tonë”, ka pohuar ai.

Duke shprehur urime për 28 Nëntor, Kurti tha se kjo festë kombëtare do të na bashkojë përgjithmonë.