I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, para propozimit të kabinetit të tij qeverisë para deputetëve të Kuvendit, ka shpalosur disa prej pikave kryesore që synon t’i realizojë përgjatë qeverisjes së tij.

Kurti ka thënë se qeveria e tij do t’i ketë 15 ministra dhe diku rreth 33 zëvendësministra që sipas tij do të ndikojë në zvogëlimin e shpenzimeve për post e privilegje dhe do të ketë më shumë para për investime.

Përveç kësaj, Kurti ka përmendur rritjen e vendeve të punës, zhvillimit ekonomik.

Në fjalën e tij në Kuvend, kreu i VV’së ka thënë se do të shuhet Agjencia e Privatizimit dhe ajo do të kalojë në agjenci brenda Qeverisë.

Për punëtorët ka premtuar kujdes të veçantë. Sipas tij do të punohet vetëm 8 orë në ditë e 40 orë në javë. Ndërkohë ka thënë se për të kontrolluar një gjë të tillë do të angazhojë rreth 400 inspektor.

 Ndërkohë teksa ka folur për buxhetin, Kurti ka thënë se përgjatë mandatit të parë do të kenë një buxhet prej 3 miliardë eurove.

Gjithashtu ka përmendur investimet ne teknologji, dhe përkushtim për rend dhe sundim të ligjit. Kurti ka përmendur edhe Vettingun  që do të kryhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Gjithashtu Kurti ka thënë se do të kërkojë llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës.