Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, i ka kthyer letrën me falënderime e me respekt kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, shkruan MekuliPress.

Teksa ka falënderuar për letrën e urimit, Kurti i ka shkruar Netanyahut se e sheh vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve si mundësi për të përforcuar bashkëpunimin politik, ekonomik e kulturor.

“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti në letrën e tij për Netanyahun.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”, ka shkruar ndër të tjera Netanyahu, në letrën që ia kishte dërguar Kurtit më 17 shkurt.