Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar heroin Enver Zymberin në 9 vjetorin e vrasjes së tij gjatë një aksioni të policisë në Veri të Mitrovicës.

Kurti shkruan se Zymberi është shembulli më domethënës i policëve të Kosovës.

Mirëpo Kurti thotë se Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dha urdhër për ndërprerjen e aksionit atje, ku shprehet se përkundrazi, më pas pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit.

Ju pëlqen!

Postimi i tij i plotë:

Para 9 vitesh humbi jetën në krye të detyrës pjesëtari i forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi.

Enver Zymberi, i paharrueshëm për ne, është shembulli më domethënës i policëve tanë. Ata janë të gatshëm të japin gjithçka, edhe jetën, për sigurinë e Kosovës e të qytetarëve të saj.

Me ndjenjën e lartë të detyrës e të patriotizmit, heroi Enver Zymberi bashkë me shumë policë të tjerë morën pjesë në një aksion që synonte vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Republikës së Kosovës. Aty ai u vra në rrethana ende të pasqaruara nga organizatat kriminale që mbajnë peng qytetarët në atë pjesë të vendit tonë.

Por ai aksion u ndërpre me urdhër të kryeministrit të atëhershëm (tani president në fund të mandatit të tij). Rendi e ligji nuk u vendosën atje, përkundrazi, me pas pushtetarët asokohe vendosën të negociojnë dhe të integrojnë në institucione pikërisht strukturat përgjegjëse për vrasjen e Enver Zymberit.

Gjatë këtyre 9 viteve përpjekjet për drejtësi kanë qenë të pamjaftueshme, për të mos thënë që kanë munguar tërësisht. Por Kosova ka nevojë për një qeveri që punon për ta shtrirë rendin e drejtësinë në gjithë vendin, që sjell drejtësi edhe për Enver Zymberin. Atë drejtësi ia kemi borxh Kosovës, Republikës sonë dhe policëve të saj.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!