Shkruan: Sebastian Zonja

Takimi i Albin Kurtit me kryediplomatin europian Josep Borrel nuk mori vëmendje në Tiranë sepse jemi duke pritur një diplomat amerikan që të vijë të na zgjidhë lëmshin që kemi krijuar vetë.

 

Ju pëlqen!

Kosova, mirë apo keq, foli me një zë në Bruksel dhe tregoi se nuk është temë bisedimesh, por palë në negociata. Kurti tha këtë të martë në Bruksel se qëllimi i tij është mirëqenia e shqiptarëve dhe etnive të tjera në Kosovë.

 

Mid’hat Frashërit i kanë vënë një emërtesë shumë të goditur – “Shërbestari i Kombit”. Vetëm nga pozita të këtilla mund ta përfaqësosh denjësisht vendin në foltoret më të larta ndërkombëtare. Si Shërbestar i Kombit tënd.

 

Ky është hapi i parë për të vënë në vend një anësim të diplomacisë europiane, që ka kohë që favorizon më shumë interesat e fqinjëve. Deri më tani Kosova duhej që t’i kishte të liberalizuara vizat. Izolimi nuk është frytdhënës. Por, sërish, nuk është çasti për t’u gëzuar por për t’ju shtruar punës .

 

Asosacioni vetëm sa u shty, ai nuk u zhbë.

Ngjan se ata që e gatuan këtë gjëmë për Kosovën, kërkuan që të bënin ndarjen e saj, e kësisoj t’i jepnin fund kësaj teme. Ndarja u kundërshtua, por pa dhënë një zgjidhje se si do të zhbëhet Asosacioni. Më e keqja që mund të ndodhë është që kjo çështje të marrë zgjidhje në një Konferencë Ndërkombëtare, ku Kosova është temë, e jo palë. Parimi i së Drejtës Ndërkombëtare thotë se për sa kohë një marrëveshje është firmosur nga palët dhe ratifikuar, ajo rrëzohet me pëlqimin e palëve, ose me një Konferencë Ndërkombëtare. Në rastin tonë, Kosova e ka ratifikuar, e ka rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese, por Serbia nuk pranon ta rinegociojë. Shtyrja nuk është opsion, sepse cilado qeveri që vjen në Serbi, demokratike apo autokrate, e ka si gozhdë në trupin e Kosovës këtë çështje.

 

Europianët dhe amerikanët nuk janë të interesuar për një bosnjëzim të Kosovës, por ngjan se rusët dhe kinezët janë. Që tani ngjan se ky konflikt, për të mos kaluar në Konflikt të Ngrirë, është bërë temë e tavolinave më të mëdha se ajo e vogla mes palëve në Bruksel.

 

Diplomacia shqiptare, ajo në Tiranë e Prishtinë, besoj i ka aq kapacitete dhe pjekuri sa t’i jap zgjidhje kësaj teme kaq delikate. Vetë Albin Kurti e ka thënë se duhet të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë brenda këtij mandati të administratës Biden dhe uroj që të punojmë pa u ndalur që Kosova ta zgjidh, jo ta shtyjë këtë temë, dhe të anëtarësohet në NATO.

 

 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.