Kryeministri Albin Kurti ka folur në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës, në të cilën ka mbajtur fjalim edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi – Goodman. Kryeministri ka thënë se Qeveria është duke u përgatitur mirë për ta paditur Serbinë për gjenocid.

“Një ndër prioritetet e Qeverisë tonë është padia kundër Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo do të jetë një rrugë e gjatë sepse dëshirojmë të sigurohemi që të jemi të suksesshëm në këtë proces. Por ne kemi filluar punën në këtë drejtim”, u shpreh Kurti.

Kurti është zotuar se në dialogun me Serbinë do të kërkohet që Serbia të japë përgjegjësi për të gjitha dëmët që i ka shkaktuar Kosovës dhe do të kërkojë drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Deri tash nuk është folur për këto raste në dialogun me Serbinë, Ne do të sigurohemi që kjo të ndryshoj sepse nuk mund të ketë pajtim pa kërkimfalje. Pa ndëshkim të krimeve të luftës nuk mund të ketë qetësi”, ka thënë Kurti.

Ai ka përmenduar tri gratë shqiptare të cilat publikisht kanë rrëfyer historitë e tyre.

“Ishte Marte Tunaj në 2013 foli haptas. Ajo vdiq në maj të 2016’s me një pension prej 96 eurosh. Kemi Vasfije Kransiqin, kemi edhe Shyhrete Tahiri – Sylejmanin. Unë sot i falëndërohem guximit të këtyre grave dhe inkurajoj edhe gra dhe burra të tjerë që të kërkojnë drejtësinë e munguar”, ka thënë Kurti.

“Në emër të Qeverisë them se bashkëndiejmë me ju dhe se unë nuk jam i qetë derisa ju të gjeni qetësinë dhe drejtësinë që ju e meriton”, ka deklaruar Kurti.