Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën njoftoi se do të themelojnë Strukturën për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit.

Para kabinetit qeveritar, Kurti tha se qeveria e udhëhequr nga ai është e përkushtuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin si dhe për të bërë reforma në drejtësi e në administratën publike.

“Në këto gati dy vjet të qeverisjes, kemi dëshmuar në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin si dhe për reforma në drejtësi e në administratën publike. Ligji për Këshillin Prokurorial, Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme – janë disa prej ligjeve që do të jetësojnë reformat e programit tonë qeverisës”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Ju pëlqen!

Ai tutje tha se jo për rastësi, të trija këto ligje bashkë me Ligjin për masat e përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për qytetarët, me të cilin bëhej parandalimi i abuzimit me rritjen e çmimit të produkteve bazë, janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare.

Lexo po ashtu:  Gjakovë/ Nderohet heroina shqiptare Ganimete Tërbeshi

Sipas tij, kjo e fundit duke i kontestuar ligjet e Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, po bën “përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.

“Në historinë 15-vjeçare të shtetit të pavarur të Kosovës, nuk mbaj mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese brenda një kohë kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”.

“Njëkohësisht është kundërshtim i hapur i nevojës shoqërore dhe kërkesës qytetare si dhe vullnetit demokratik i 14 shkurtit. Pavarësisht kësaj, përkushtimi ynë mbetet i njëjtë”, përfundoi Kurti.

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!