Arjan Melonashi

Albin Kurti bëri shumë gabime gjatë qeverisjes së tij, por të gjitha të falshme, të formës, të “foshnjërisë në pushtet”, asnjë gabim në thelbin e drejtimit të vendit, përkundrazi, punoi me efikasitet dhe energji, në një periudhë tejet të vështirë jo vetëm për vendin, po për gjithë botën; një qeverisje absolutisht e suksesshme. U rrëzua sepse të shumtë ishin ata që i patën frikën. I patën frikën më tepër athere, kur e kuptuan se Kurti e kishte kapur me seriozitet detyrën dhe se shpejt do tu vinte rradha për të dhënë disa spjegime të sikletshme.

Ai që e dinte, i druhej dhe e parashikonte më mirë tërmetin e pritmë, ishte Isa Mustafa. Në një nga intervistat e fundit, xhaxhoja me bastun tha të vërtetën: krejt ndryshe nga natyra e partisë që udhëheq, kësaj here kishte këmbëngulur të kishte me domosdo Ministrinë e Punëve të Brendëshme, atje ku hetohet, atje ku është ajo fshesë e madhe që pastron skuta, të ndyta prej kohësh; dhe pikërisht kur humbi kontrollin mbi kontrollin, rrëzoi qeverinë. Hapur, sheshit. E është uluritës, se sa domethënës është veprimi i tij, në koordinim me kumbarët historikë, nga Presidenti e deri tek kryetarë e shefa partish, marifetçinj, përfitues, dredhës e dredharakë. Nuk hyn Grenelli, nuk hyjnë Shtetet e Bashkuara, qeverinë e rrëzuan minjtë e miushët, që të parët ndjene uraganin, që u kanosej.

I
U mbyll ky kapitull, qeveria ra e mbeti në detyrë. Presidenti i kërkoi VV të shprehej lidhur me qeverinë e re, në se i kishte numurat për të drejtuar sërish. VV mori kohë, shumë kohë, tepër, duke përfituar nga një bosh legjislativ. “Mos hezitimi e mos refuzimi” si shkruan Kurti, është thjesht një togfjalësh pa sens në këtë fazë, e vërteta është se Albin Kurti u përpoq të fitojë kohë me lojra fjalësh të denja e ndoshta edhe efikase kur gjendesh në opozitë, por pushteti është diç krejt tjetër. Në pushtet flitet vetëm me gjuhë ligjesh, e kur këto mungojnë atherë vjen interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.

Ju pëlqen!

II
Unë jam kundër Thacit, por Presidenti kishte të drejtë: kur rrëzohet një qeveri, nis verifikimi për të gjetur një tjetër shumicë në Parlament. VV vërtet doli forca e parë politike në zgjedhjet e 6 tetorit, por nuk fitoi shumicën e votave të zgjedhësve në total. Shumica është e mbetet gjithnjë 50% plus një votë. Në se Kurti fitoi shumicën relative, duhet ta kuptojë se jashtë ombrellës së tij, mbetën mbi 70% e votuesve kosovarë, e këta nuk janë pakica.

III
Politikisht Kurti ka të drejtë: frika nga një shtet i së drejtës, i bëri bashkë gjithë ata që kanë qeverisur këtë vend nga viti 1999 e që kanë skelete për të fshehur në skuta të errëta.

IV
Juridikisht (për sa i përket mundësisë së formimit të një qeverie të re) ka të drejtë Presidenti.

V
Çfarë ndodh? Ndodh ajo që Gjykata Kushtetuese (siç pritej, por jo se “është e kapur”, po sepse gjykimi i saj është i drejtë për situatën e dhënë) vendos për zbatimin e dekretit të Presidentit. Pikë.

VI
Ku dua të dal? Tek shteti i së drejtës. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pa apelueshme, rrjedhimisht çfarëdo proteste kundër saj, është një plagosje, një atentat ndaj rendit demokratik. Dua të kujtoj se demokracia, në emër të së cilës flitet dhe abuzohet aq shumë, ushtrohet realisht vetëm një ditë në çdo 4 vjet, diten e zgjedhjeve. Pjesa tjetër është punë, bindje, respektim i rregullave dhe ligjeve. VV, militantët e saj, kanë gjithë të drejtën e botës për të protestuar, për një protestë me ngjyrim krejtësisht politik, mund të kërkojnë zgjedhje të reja, po kurrë nuk duhet kaluar caku e të shkelet në fushën e së drejtës, pasi ashtu bie ai shtet që po përpiqet të ndërtohet, ai i se drejtes e i ndarjes së pushteteve. Në se sot dikush do të ngrihet kundër Gjykatës Kushtetuese e vendimeve të saj, do të thotë që nga demokracia nuk ka kuptuar asnjë mut.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!