Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, me rastin e shënimit të 24-vjetorit të masakrës.

Ai ka folur për veprën e profesorit Ukshin Hoti.

“Çdo fillimpranvere i kujtojmë e i përkujtojmë ata të cilët dhanë jetën e tyre, luftuan heroikisht për çlirmin e Kosovës, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin tonë. Edhe këtu në Krushë, në vendlindjen e bacës Ukë, të profesorit Ukshin Hotit, të cilit i kemi aq shumë borxh për shkak se gjithë vepra e tij është vepër për jetën dhe përpjekjen tonë politike që të jetojmë me dinjitet në trojet tona dhe me shtetin që na shërben të gjithëve si Republikë. Këtu përkulemi me shumë mall, dhembje, e pikëllim por në të njëjtën kohë edhe me shumë dashuri, krenari e admirim që i patëm këta burra e gra me nëkrye me Ukshin Hotin dhe arritëm çlirimin e vendit e njëkohësisht kemi udhërrëfyesin se si të ecim përpara pa u ndalur, pikërisht për shkak të veprës së tyre, jetës së tyre, rënies së tyre me flijim e sakrificë.” – ka thënë ai.

Më tej, Kurti ka thënë se është përgjegjësi që brezat e ardhshëm të mos kalojnë në vuajtjet që kemi kaluar ne.

“Sot si institucione të shtetit me përgjegjësi dhe si qytetarë të Republikës me vetëdije, bëhemi bashkë që brezi aktual dhe brezat e ardhshëm të mos kalojnë nëpër vuajtjet e humbjet që kaluam ne, por në të njëjtën kohë të kenë të ardhme të ndritshme në një Kosovë, rajon e Evropë që është e lirë, e bashkuar dhe e mbrojtur nga çfarëdo agresioni. Lavdi Ukshin Hotit e të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka thënë Kurti.