Vjosa Osmani thotë se nuk ka pasur koordinim mes dy partnerëve se si duhet të vendoset reciprociteti. Sipas nënkryetares së LDK-së, nuk duhet të rrezikohen raportet e Kosovës me SHBA-në për një çmim të produktit.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur sot rreth qëndrimeve të LDK-së dhe raporteve me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e heqjes së tarifës.

Osmani thotë se nuk duhet të rrezikohen raportet me aleatët e Kosovës për shkak të refuzimit të heqjes së tërësishme të tarifës ndaj mallrave serbe.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

“Jemi shprehur në favor të heqjes së tarifës sepse ka qenë masë e vendosur pa koordinim me partnerët tanë dhe nuk mund të rrezikohen raportet tona me miqtë tanë për shkak të një çmimi të një produkti”, ka thënë Osmani.

Kryeparlamentarja beson se qytetarët e Kosovës duan të hiqet tarifa dhe kjo është diçka që do të mirëmbante raportet me SHBA-në, prandaj ajo thotë se opozita nuk duhet ta keqpërdorë heqjen e saj.

“Besoj fuqishëm – ky është mendimi im – që heqja e tarifës e ka përkrahjen e qytetarëve. Prandaj një vendim që është interes të vendit dhe në interes të mirëmbajtjes së raporteve tona me aleatë strategjikë do të duhej të keqpërdorej dhe të keqinterpretohej”, ka thënë Osmani në lidhje me protestat e paralajmëruara nga AAK-ja.

Kryeministri Albin Kurti dje ka shpalosur shtatë pika të planit të tij në lidhje me tarifën, sipas së cilës do të nisë heqja e pjesshme e tarifës për lëndën e parë të importuar nga Serbia. Osmani thotë se për “modalitetet” se si do të vendoset reciprociteti e si të hiqet tarifa.

Osmani thotë se qëndrimi i LDK-së është ashtu siç e ka thënë ditë më parë kryetari i partisë, Isa Mustafa, ndonëse dje zëvendëskryeministri Avdullah Hoti në Pressing tha se ai po jepte qëndrimin e partisë dhe se ishte zëri i saj në Qeveri.

“Çështja e reciprocitetit ka qenë propozim i LDK-së dhe i LVV-së i dhënë gjatë fushatës, i cili është shndërruar në marrëveshje për bashkëqeverisje. Ka pasur marrëveshje për reciprocitet por nuk ka pasur vendime të përbashkëta rreth modaliteteve se si do të vendoset ai reciprocitet. Tani se cilat janë idetë e dy partive për vendosjen e reciprocitetit, i keni dëgjuar më 22 shkurt prej kryetarit Mustafa në emër të LDK-së, ku ai e ka dhënë një propozim se si do të vendosej reciprociteti, nëse Serbia nuk i ndalon barrierat për Kosovën. Nga ana e kryeministrit e keni dëgjuar propozimin dje. Për momentin jemi këtu, nuk ka diçka tjetër”, është shprehur Osmani.

Ajo ka thënë se nuk ka krizë në koalicionin qeverisës dhe se në shumicën dërrmuese të temave, kanë dakordim me LVV-në.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!