Mitrua, kur u martua,
Ndënji një muaj me grua!
Erdhi dita për të ndarë
dhe u ndanë duke qarë!
Gruaja qënkej me barrë
dhe polli, bëri djalë.


Po Mitrua ku ish vallë?
Motëmot që qe larguar,
një kartë s’i kish dërguar!
Ku t’i shkruaj mëm’ e mjerë
për djalënë që kish lerë?
Tri vjet, katër, dhjetë shkuan!
Mitrua harroi gruan!
E varfëra se ç’pësoi,
të ritë vetëm e shkoi.
Ç’e deshi të tillë burrë,
që se pati pranë kurrë!
Gjith’ bota ven’ e vinë,
Mitrua harroi shtëpinë,
nuk e di që ka dhe djalë!
Rron a ka vdekur vallë?
Këto thosh grua e mjerë,
po burrit i mbajti nderë.

E zeza se ç’hoqi!
Humbi shpresën tek i shoqi:
kur pa ngrën’ e kur pa pirë,
punoi e rriti të birë.
Kurbeti, shokë, kurbeti,
kush vate e nukë mbeti?
Mitrua zuri Misirë,
po puna s’i vinte mirë.
Qysh të vejë puna mbarë
për të zeztë shqipëtarë?
Shkretojënë mëmëdhenë,
tek perndon dielli venë!
Ku vini, more të mjerë,
se sot s’ësht’ si njëherë,
qysh vini në vend të huaj,
kur s’dini as gjuhnë tuaj?
Lum kush rron në vend të tij
me qe, me dhen e me dhi.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Po për Mitro shqipëtarë
këto zakone të ra
nuk i dukeshin mbarë.
Ndaj hoqi e voi shumë,
kur pa buk’ e kur pa gjumë,
rrahu Misirë të tërë,
nukë la punë pa bërë.
E shoqja e kish qarë,
njëzet vjet që s’e kish parë!
Dhe në mos e paftë kurrë,
djali u rrit, u bë burrë,
mëmën do ta mbajë mire
me të ngrën’ e me të pirë
Pas njëzet vjet, nga kursimi,
Mitros iu shtua fitimi,
solli ndër mënd Shqipërinë
gruan e tij dhe shtëpinë;
psherëtiti zëmër’ e tij
dhe qau si çilimi;
Dhe nesërmet, ndaj të gdhirë,
Mitrua e la Misirië.

Ta kish ditur, kur ish ndarë
që la gruan me barrë
mbase kish ikur më parë.
Shtatë dit’ e shtatë net
bëri Mitrua në det;
mbaroi udhën e gjatë
dhe vate në fshat me natë.
Në shtëpi u afërua,
Ndënji pak e u mendua,
dhe me vete të tij thosh:
“Në gjeça shtëpinë bosh?
Në mos e gjeça të gjallë
Gruanë!” Me këto fjalë
Shikon shtëpinë me dritë
edhe vate në fëngjitë
të shojë kush është brënda,
të përgjojë ja ka ënda.
Djali kuvendon me mëmë;
“Pse qan, i thosh, kur ke mua?
Ç’kan shkuar t’i lëmë
dhe duajmë si të dua.
– Të dua, thosh mëm’ e mjerë,
me shpresë tënde kam rruar,
nga ti harrova qederë,
dhe gjith’ato që kam vuar,
dhe sot rroj me shpresë tënde.”

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Kur gjegji këto kuvënde,
Mitrua ngriu në fëngjitë.
Fatziu, ç’vuri nër mënde!
Vuri syn’ e pa në dritë,
pa një trim të ri me gruan!
Mënja ju turbullua!
Mitrua kujton Misirë,
sheh vetëhenë me brirë!?…
O Mitro, mendoju mirë,
mëma përkëdhel të birë,
nuk të ka turpëruar,
se me nder të madh ka rruar!
Ç’mendohesh, more fatzi!
Hyrë brënda në shtëpi
dhe merr djalënë në gji.
” Obobo! sytë ç’më panë!
Tha Mitrua si i marrë.
Pash gruan me jaranë,
po tani do t’ju bëj varrë!
Do t’u bie me kobure,
t’i lëshoj në shesh shondure.
Mua të më vënë brirë!”
Tha, dhe goditi të birë!
Mëm’ e zezë ulëriti,
pushtoi djalën dhe briti,
po Mitrua nuk priti,
pushka krisi dhe një herë,
ra përmbys dhe mëm’ e mjerë!

– Andon Zako Çajupi

/MekuliPress.com/Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress