Nga Afrim Fanda

“Duhet ti biesh tavolinës me grusht” mbureshin rrugeçërit dhe mashtruesit, të cilët, në teatrin e sapokrijuar politik të quajtur “Maqedoni” panë mundësinë e artë për t’u pasuruar, dhe menjëherë zunë majat e organizimit politik të shqiptarëve të ish IRJM. Derisa njëra palë e përfaqësuesve politikë shqitparë, mbeturina të sistemit monist dhe shërbëtorë të vjetër të pushtetit sllav, me autoritetin e pushtetarit me përvojë, shisnin hapur, ashtu siç ishin mësuar, interesat e shqiptarëve, pjesa tjetër, e mobilizuar si “gjak i freskët” nga po i njëjti pushtet, bënte sikur luftonte  gjithë zell tradhtinë e këtyre të parëve. Ndërkohë, pasi në shkëmbim të luksit që ua premtonte pushteti,  shisnin çdo gjë që mund të shitej në tavolinë, në fund, në sy të publikut,  nuk harronin ti binin  tavolinës me grusht. Gjithmonë të ndjekur me buzëqeshje nga shefat e tyre, të kënaqur nga aktrimi dhe loja e bukur dhe “bindëse” që po interpretonin rekrutët e tyre të rinj.

Pikërisht një teatër i tillë na u servua edhe para ca ditësh, kur para kamerave të mediave televizive, në mbledhjen e rradhës të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, u përplasën deputetët e VMRO dhe ASH me kryetarin e komisionit, dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademin.

Ju pëlqen!

Vërtetë, Arbër Ademit dhe zyrtarëve të tjerë të BDI, u lexohet në ballë tradhëtia që janë duke i bërë interesave kombëtare të bashkëkombasve të tyre, ndaj kjo farsë e “trimit” që u përplas në fytyrë aleatëve të deridjeshëm, deputetëve të VMRO dhe ASH filxhane kafeje, ishte e pritshme dhe lehtësisht e kuptueshme.

Por kush ishin “trimat” që “luftonin” me Arbër Ademin dhe për cfarë bëhej “lufta”?

Sa i përket deputetëve të VMRO, çdo gjë të bëhet e qartë kur kujton klithmat nëpër mitingjet e tyre ku kërkohet dhoma gazi për shqiparët, krimi dhe korupsioni galopant gjatë qeverisjes së tyre, dhe fytyrat e shtrembëruara nga urrejtja e militantëve të VMRO, derisa ushtronin dhunë në parlamentin e ish IRJM, më 27 prill 2017. Ishin pikërisht këta deputetë të VMRO, një pjesë e të cilëve hapën dyert e parlamentit, ndërsa pjesa tjetër vëzhgonin të qetë militantët e tyre duke përgjakur deputetë të partive kundërshtare.  Dhe ishte pikërisht kryetari i partisë së dy deputetëve, Halil Snopçe dhe Elmi Aziri, që u përfshinë të parët në maskararadën e shëmtuar në mbledhjen e Komisionit për Çështje Evropiane, që e pësoi më së shumti, duke rezikuar edhe jetën.

Cfarë ishte “kauza” që po mbronin dy deputetët e ASH, bashkë me ata që para ca vitesh, masakruan kryetarin e tyre?

Në një kohë kur ish IRJM, e konsideruar  nga vet zyrtarë të ish IRJM, e tani më edhe nga një shtet i BE, si krijesë politike artificiale e partisë komuniste të Serbisë, gjendet në udhëkryqin, i cili shqiptarëve që përfaqësojne së paku një të tretën e popullsisë,  u jep përsëri një shans për të avancuar statusin e tyre të kushtetues, deputetët e ASH “opozitare” bëjnë “luftë” me BDI, për të penguar projektligjin për zgjatjen e moshës së pensionimit të gjykatësve! Athua se për shqiptarët do të ndryshonte gjë mosha e pensionimit të gjyqtarëve, në gjyqësorin e pareformuar që nga sistemi monist. Në gjyqësorin kryekëput antishqiptar, i cili si në monizëm ashtu edhe tani, si me gjykatës të vjetër ashtu edhe me të rinj, ka për detyrë për të mbrojtur shtetin unitar të “maqedonasve”, nga shqiptarët “agresorë”.

Shqiptarët nuk mashtrohen me teatrot e “luftës kundër krimit dhe korupsionit” të udhëhequr pikërisht nga kriminelë dhe të koruptuar, e as me maskarada të shëmtuara në parlamentin e ish IRJM që për shqiptarët përfaqëson një bordel politik, ku përfaqësuesit e tyre shesin shërbime politike partive sllave që paguajnë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikur ASH, të ishte një parti e mirëfilltë opozitare, me një platformë politike kombëtare në vend të luftës për pushtet në koalicion me VMRO, e cila shqiptarët i konsideron agresorë të “shtetit të tyre”, sot këta deputetë të ASH, do të duhej të ishin në ballë të protestave kundër mercenarizmit të BDI në pushtet, me kërkesat e drejta për hapjen e kushtetutës, avancimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në atë të shtetëformuesit, dhe ndryshimin e sistemit qeverisës unitar, qe shkel me të dy këmbët të drejtat kolektive të shqiptarëve.

Nëqoftëse në ASH, në vend të kandidatëve për punësim, ka anëtarësi që ndjek oferta, programe dhe platfroma politike, për një të ardhme më të mirë, evropiane, do të ishte pikëristh kjo më siper, që do të kërkonte me ngulm nga kryesia e Partisë. Veprime politike të tilla, realisht opozitare të ASH, do ti përkrahja edhe unë.  Këtyre protestave do t’u bashkohesha edhe unë!

 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.