Një poezi me një gegnishte të pastër që vështirë se mund ti shkojë mendja njeriu se është shkruar nga një himarjot…

Kur gjethet bijn në vjeshtë dhe m’dukesh n’vaj natyr
Për ty s’mundem me heshtë, si gjethja bahem n’ftyr
E zverdhun dhe e ngrime, si barnat ne Kallnur
Po del kjo kanga ime ankuse thell n’krahnur.

Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.

T’kujtohen ty pranverat ah puthjet me pasion
Dhe fjalt e tua nga hera kjo zemër si harron
Nëqoftse gjethet ranë të vyshkuna mbi dhe
At’her kam me besue se sa e pabese je.

Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.

Për mua lulet e verës nuk kan ma bukuri,
Jan vyshk n’qoshe t’pinxheres, të mjerat në saksi
As lot nuk kan t’i ngjallin, jan shterrur lot e rinis
Veç kur më merr mu malli, i knoj un dashuris.

Ti m’ke braktis, qofshin haram ndjenjat e mija
Se larg dashnis, të lindi n’zemër pabesia
Ke me u pendue, por at’her ka me qen’ von
dhe tuj lotue do t’vij nermen dashnia jon.

Odhise Grillo

Lindi në Vuno të Himarës, rrethi i Vlorës, në vitin 1933, në një familje me traditaatdhetare, kulturore e arsimore, për të cilën nacionalisti i shquar Mithat Frashëri, ka thënë: “Potë mos ishin Kasnecajt, Grillojt e Varfajt, nuk do të kishim më Himarë shqiptare”. Babai i Odhisesë ka hapur të parën shkollë shqipe në Vuno dhe nga familja e tij, gjatë 50-vjeçarit të dytë të shekullit të 19-të i kadhënë arsimit tonë pesë mësues.

Shkollën fillore e kreu në Vuno, ndërsa ciklin e lartë të shtatëvjeçares e vazhdoi në Tiranë. Po në Tiranë mbaroi edhe shkollën e mesme, në gjimnazin “Qemal Stafa”, si dhe studimet e larta, për gjuhë e letërsi dhe për gazetari, në Fakultetin Histori-Filologji dhe atë të Shkencave Politike-Juridike. Pas mbarimit të studimeve punoi disa vite në revistën “Hosteni” dhe, më pas, në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku dha një ndihmesë të çmuar në begatimin e lulzimin e letërsisë për fëmijë, deri sa doli në pension. Më vonë punoi për disa vite në Shtëpinë Botuese “Toena”, ku mbuloi letërsinë për lexuesit e vegjël, deri sa u nda nga jeta.

Odhise Grillo është autor i mbi 120 librave të gjinive dhe llojeve të ndryshme, si romane, novela, tregime, përralla, përshtatje, përkthime, studime, etj., një pjesë e të cilave, mbi 80, janë ribotuar deri edhe në 10 herë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Disa nga librat e tij janë përkthyer në greqisht, italisht, arabisht e maqedonisht.

Ka qenë autor e bashkautor i librave shkollorë për më shumë se 35 vjet, ka dhënë lendën e letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës e të Elbasanit, ka redaktuar me qindra libra, ka përgatitur botime të zgjedhura të shkrimtarëve tanë më të njohur, me parathënie, shënime, fjalorë, etj.

Odhise Grillo është shkrimtari që, duke përfituar në mënyrë krijuese nga përvoja botërore, ka çelur shtigje të reja në letërsinë për fëmijë, në rikrijimin e veprave për të vegjëlit nga kryeveprat e letërsisë sonë kombëtare dhe botërore. Në këtë fushë ai është themelues dhe novator.

Kolona “Legjenda shqiptare” prej 27 librave të ilustruara për fëmijë, përmban legjenda të përshtatura për fëmijë nga Odhise Grillo. Aty lexuesit e vegjël njihen me bëma të personazheve historikë dhe legjendarë.

Veç letërsisë është marrë edhe me publiçistikë, duke botuar në vazhdimësi shkrime në gazetat dhe revistat letrare të të vegjëlve dhe të të rriturve, për problemet e letërsisë për fëmijë, por edhe për probleme të tjera të shkollës, si pedagogjisë, shoqërisë, etj. Shkrime të tilla ka botuar edhe në shtypin e Prishtinës e të Shkupit.

Ai ka qenë edhe një veprimtar i shquar në të mire të marrëdhënieve midis shkrimtarëve dhe ndihmesës për më të rinjtë. Për më shumë se 10 vjet ka drejtuar me përkushtim Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, fillimisht si nënkryetar e më pas si kryetare president.

Ka qenë nismëtari i të gjitha veprimtarive tëshoqatës, e cila, me kujdesin e tij, dallonte midisshoqatave të tjera. Një pjesë e madhe e librave të Odhise Grillos janë botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, e cila ka marrë përsipër dhe ka nisur botimin e tërë veprës së tij.Krijimtaria e gjerë dhe e larmishme e Odhise Grillos është vlerësuar me dhjetra çmime kombëtare e ndërkombëtare. “Historia e Skënderbeut”, rikrijuar sipas poemës së Naim Frashërit është vlerësuar një nga veprat e shquara të 10-vjeçarit të fundit nga Instituti i Studimeve të letërsisë për fëmijë në Mynih të Gjermanisë, nga IJB (Internacionale Jugendbibliothek).

Shtëpia Botuese “Orell Fusli” në Zvicër, i ka dhënë çmim të parë për tregimin “Kur qa nga gëzimi”, me temë nga lufta në Kosovë. Studiuesja holandeze Renne Simons ka mbrojtur doktoraturën me një pjesë të librave të Odhise Grillos, etj.

Për kontribut dhe cilësi në krijimtari, Odhise Grillo është përfshirë në vëllimin e 16 të fjalorit që boton Instituti biografik i Kembrixhit, gjithashtu nga IBC dhe AIB, ka marrë Medaljen e artë të nderit, si shkrimtar i shquar i dymijëvjeçarit.

Odhise Grillo ka merituar titullin Profesor dhe titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti I Republikës Alfred Moisiu. /MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj!

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]