Tradita e kryerjes së shërbimit ushtarak në Kosovë ka ekzistuar qysh nga koha e pas Luftës së Dytë Botërore, kur Jugosllavia e kishte bërë obligativ atë. Sipas praktikës së atëhershme, kosovarët kryenin ushtrinë nëpër pjesë tjera të Jugosllavisë, por kjo u ndërpre kur të rinjtë e atëhershëm filluan të ktheheshin të vrarë në arkivole pas montimit të rasteve të ndryshme. Tash që Kosova ka themeluar ushtrinë e saj, Kryeministri Kurti ka bërë më dije se e ka ndërmend ta kthejë shërbimin ushtarak përsëri për këtë ka kontaktuar NATO’n, komandantin dhe Ministrin e FSK’së dhe ekspertë të sigurisë për të folur rreth idesë së realizimit të shërbimit obligativ ushtarak.

Kryeministri Kurti ka plan që gjatë qeverisjes së tij ta bëjë shërbimin ushtarak të obligueshëm. Për udhëheqjen e Serbisë, kjo është përgatitje e Kurtit për destabilitet, e sulme ndaj serbëve.

Zyra për Media e NATO’s, pa i komentuar as zotimet e Kurtit e as deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë rikujton se do të qëndrojë në Kosovë përmes misionit të KFOR’it, e do të sigurojë stabilitet.

Ndoshta ju pëlqen!

“NATO’ja do të qëndrojë në Kosovë, përmes misionit tonë të KFOR’it dhe nën mandatin që e ka sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ne vazhdojmë të ofrojmë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovës. NATO gjithashtu do të vazhdojë të përkrahë dialogun e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës e Kosovës”, thuhet në një përgjigje të NATO’s dhënë Gazetës Express.

Komandanti i FSK’së, Rrahman Rama, thotë se, pikë së pari, shërbimi ushtarak nuk paraqet rrezik për askënd, përveç që do të ishte një e mirë për të rinjtë kosovarë.

“Kjo është çështje e Kosovës. Por nuk ka ndonjë rrezik. Ne nuk po shkojmë ta sulmojmë askënd. Është diçka e mirë për gjeneratat e reja, çfarë ka të keqe këtu”, ka thënë Komandanti i FSK’së.

Megjithatë, ai tregon se tash për tash çështja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak është veçse një ide dhe se nuk është ka pasur diskutime me të thella me kryeministrin Kurti, apo ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin.

“Kjo më shumë është në fazën e diskutimeve. Ende nuk kemi një ide të qartë, megjithëse ka forma e metoda të ndryshme. Kemi diskutuar me ministrin, por së shpejti do të kemi edhe takime të tjera“, është shprehur Rama për Express.

Komandanti i FSK’së thotë se teknikisht shërbimi ushtarak është lehtë i realizueshëm dhe se vetëm duhet të formësohet ideja, të cilën e ka dhënë kryeministri Kurti.

“Është herët të flasim njëherë, pa u ditur qartë se cila është ideja. Pastaj janë cështje teknike që mund të bëhen. Ka forma, metoda që praktikohen, ka analiza që duhet të bëhen”, ka thënë Rama.

Nuredin Ibishi, ekspert në fushën e sigurisë, thotë se shërbimi i obligueshëm ushtarak do të ishte veprim i duhur, ndërsa merr shembuj të vendeve të Evropës që e veçse e kanë vendosur atë.

“Si rrjedhojë e ngjarjeve dhe kthimit të shërbimit të obligueshëm ushtarak edhe në shtetet e Baltikut edhe të Skandinavisë, por edhe këto në afërsi si në Hungari në Kroaci bëjnë me dij se kishte me qenë mirë që shërbimi ushtarakë të bëhet i obligueshëm”, ka thënë Ibishi për Gazetën Express.

Sipas tij, para se Qeveria të vendos për kthim të shërbimit ushtarak, do të duhej të matej vullneti i qytetarëve. Tutje eksperti i sigurisë tregon anën teknike të realizimit të shërbimit ushtarak.

“E ka koston e madhe financiare dhe nuk mund të bëhet menjëherë. Në Austri është bërë një anketë e gjithë popullatës dhe ka rezultuar që 90 për qind janë pro shërbimit të detyrueshëm ushtarak”, është shprehur ai.

“Përveç kostos, duhet pasur parasysh edhe infrastrukturën, kazermat, armatimin, pajisjet deri te uniforma, ushqimi, kompensimet të ndryshme e baraspeshën gjinore. Pastaj edhe kuadri ushtarak që do të merret me trajnimin e tyre. Ne mund ta shfrytëzojmë prezencën e KFOR’it për kapacitete trajnuese”

Ai ka treguar se sipas kornizave ligjore mosha e atyre që do të nisnin shërbimin ushtarak, do të jetë mbi 18 vjet deri në 35 ose 40 vjet, varësisht se si bëhet plani.

“Duhet të fillohet me disa pilotprojekte. Të bëhen hulumtime të opinionit se a janë pro shërbimit të obligueshëm ushtarak. Mund të imponohet, por ndryshe është kur bëhet një hulumtim i vullnetit të opinionit. Fillimisht do të duhej të bëheshin rekrutime vullnetare”

Kryeministri Kurti në një intervistë televizive kishte treguar se e ka menduar një shërbim ushtarak tremujor të të rinjve.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, më pas tha se kjo është ide e vjetruar dhe se shumë pak vende që janë anëtare të NATO’s e praktikojnë atë.

“Sa i përket kryerjes së shërbimit ushtarak, është zotim polik dhe e do një studim, një analizë më të theksuar, nëse e ka mendu që më pas karakterin edukativ- arsimor, mundet mu implementu në programe shkollore, por nëse e ka mendu si koncept 3 muaj me shku ushtar, është koncept i vjetruar, ka shumë pak shtete që e praktikojnë, sidomos ato të NATO-t, s’di a janë dy a tri”, ka thënë Berisha.

Kurti kur është pyetur se si planifikon ta realizojë zotimin e tij, ka thënë se grupet punuese të Lëvizjës Vetëvendosje e LDK’së gjatë negociatave për formimin e Qeverisë, e kanë paraparë që shërbimi ushtarak mund të mbulohet nga buxheti i Kosovës.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!