Shkrimtari austriak Stefan Cvajg(Stefan Zweig) është i njohur për biografitë e tij mbi figura të rëndësishme të artit e letërsisë dhe jo vetëm. Një nga portretet me më shumë ndjeshmëri që Cvajg shkruajti ishte mbi aktorin Aleksandër Moisiu.

Vet Cvajg e admironte Moisiun për talentin dhe karakterin e tij në skenë. Më poshtë do jepet një pjesë e shkëputur e kujtimeve të Cvajgut për Moisiun.

“Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plotë diell, të dukej sikur ishte juga ajo që e kishte sjellë në flatrat e saj, duke kapërcyer male, të gjithë ne që e dëgjonim, kapëm në atë zë ëmbëlsinë e kumbimit të zërave italianë(Cvajgu nuk e dinte që Moisiu ishte me origjinë shqipëtare), që më përrpara kësaj na e kishin ledhatuar aq shumë veshin në këngët, në kanconetat italiane.

Por po aq harmonishëm siç kishte zërin, ai kishte dhe trupin, të lehtë dhe të epshëm, në të shkriheshin në një harmoni të mahnitshme eleganca e djaloshit antik dhe forca e gladiatorit. Ta shihje dhe ta admiroje këtë aktor të ri ishte gëzim i jashtëzakonshëm, sepse në çdo lloj interpretimi skenik ai mbetej njëlloj i mrekullueshëm, si dashnor.

Atëherë zëri i kthehej në muzikë, kurse trupi në mishërim delikatese dhe hajthmërie burrërore; mjaftonte vetëm ta shihje, dhe menjëherë e ndieje plasticitetin italian të gjesteve; përpara se të shqiptonte fjalë, spikatnin lutjet përgjëruese e të pasionshme. E kush mund tërrinte pa u alanitur prej tij.

Një brez i tërë atë e ka dashur me shpirt, e ka adhuruar dhe e ka lajkatuar atë dashnor të perëndishëm. Me interpretimet mjeshtërore e me zërin melodioz ia nginjte ngaherë zemrën kombit gjerman.

Në atë trup, në dukje të brishtë, si prej adoleshenti, gjallonte një shpirt i flaktë; në atë kokë me bukuri klasike, të mahnitshme, gëlonte mendimi i thellë dhe i kthjellët, zjente dëshira e përhershme për të ditur gjithçka. Shumë shpejt u duk qartë se bota e ndjenjave intime, të ëmbla dhe joshëse, u bë e ngushtë për artistin e madh, roli i dashnorit të përjetshëm, të dëshiruar dhe dëshirues, s’po e kënaqte më; iu shfaq bujshëm etja e papërmbajtshme për të depërtuara në të fshehtat më të thella të jetës.

E kishte të flaktë dëshirën për tu mishëruar në figura të natyrave të tjera, në tipa të përvuajturish heroikë, por edhe në tipa të pushtetshëm e sypatrembur, në figura martirësh, të përndjekur në jetë nga fati i pamëshirshëm.

Nuk dëshironte të ishte gjithmonë Romeo dhe vetëm Romeo në njëmijë varaente, nuk ia kishte ënda të ishte në skenë djalosh i përjetshëm, dëshironte të mishërohej në figurën e Faustit, ta shihte veten ëndërrimtar me shpirt të madh, por edhe Mefistofel, shpirt mohimi, të ishte në skenë Edip, kundërshtar të pasuksesshëm fati, por edhe Hamlet, skllav fuqiprerë i mendimeve dhe mëdyshjeve të tija.

Jo, një shpirt aq i flaktë nuk kishte si mbyllej një herë e përgjithmonë në kornizën e ngushtë të një “skene” të vetme, ai shpirt kërkonte të shtrihej e të pushtonte të gjitha format dhe mënyrat që e rikrijojnë shpirtin njerëzor, kërkonte ta shihte veten të mishëruar në role me botë më të ngritur, në role me natyrë më komplekse.”

Shkëputur nga libri: “Legjenda dhe Portrete” – Stefan Cvajg
Përktheu: Jorgji Doksani – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

/MekuliPress/ Nëse e keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...
[wpedon id=16879]