(Dr. Sulltane Kojçini-Ukaj, Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e sigurimit shtetëror (1945-1952), Instituti i Historisë – Prishtinë, Prishtinë, 1997, fq.303 ).

Nga Kosovar BASHA

I. Dy fjalë për autoren e librit

Ju pëlqen!

Sulltane Kojçini-Ukaj (1947-) ishte historiane dhe punonjëse shkencore e Institutit të Historisë së Kosovës gjatë viteve 1975-2012. Në këtë institucion arriti të gjitha thirrjet shkencore nga asistentja deri te pozita e këshilltares shkencore. Gjatë rrugëtimit të saj shkencor ajo trajtoi kryesisht tematika të arsimit në Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore me çrast botoi më 1997 librin “Kuadri arsimor shqiptar në Kosovë në shënjestrën e sigurimit shtetëror (1945-1952) dhe monografinë “Zhvillimi i arsimit në Kosovë 1945-1952” , më 2005 ( tezë doktorate e mbrojtur në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1984). Mori pjesë në aktivitete të ndryshme në Kosovë dhe jashtë vendit me referatë të ndryshme shkencore.

II. Struktura dhe përmbajtja e librit

Ky libër është frut i një pune shumëvjeçare të studiueses Kojçini-Ukaj. Me sa shohim nga shfletimi me kujdes i këtij libri vërejmë se ky titull është një përmbledhje e dokumenteve arkivore e jo një studim konciz monografik shkencor. Historiania në fjalë për mbarështrimin e këtij libri ka shfrytëzuar me kujdes dokumente arkivore të Arkivit të Kosovës, pastaj Arkivit Komunal të Prishtinës, Arkivit Komunal të Gjakovës, burime të botuara me vlerë, literaturë relevante, shtypin e kohës, si dhe dorëshkrime të ndryshme të tezave të magjistraturës respektivisht doktoratës.
Në tridhjetë faqe të librit autorja me kujdes ka hartuar një tekst të ndarë një sythe të veçanta ku pos hyrjes ka përfshirë edhe tema si: organizimi i kurseve kundëranalfabetike në Kosovë, mobilizimi i kuadrit arsimor, hapja dhe veprimtaria e shkollave fillore, gjimnazet dhe shkollat e tjera të mesme, lokalet, orenditë, tekstet dhe mjetet shkollore, buxheti si masë ndikimi, shkolla e arsimi si mjet propagande, zhveshja e propagandës kundërshqiptare.
Ky libër përfshin veprimin e përqendruar të UDB-për ndjekjen e personelit arsimor gjatë viteve 1945-1952. Pjesët kryesore të librit në fjalë përfshijnë kryesisht mendimet dhe analizat e operativistëve të UDB-së për kuadrin arsimor nëpër rrethe, si dhe vlerësimet, përkatësisht akuzat që i bënë këta operativë për mësimdhënësit e përjashtuar nga puna më 1952. Sipas autorës dr. Kojçini-Ukaj, ndjekja dhe shtypja e arsimit dhe e shkollimit në gjuhën shqipe në Kosovë më 1945-1952 nga ana e UDB ishte vazhdim i një veprimtarie të tillë që nga koha e Jugosllavisë 1918-1941.

Historiania në fjalë thekson se urdhërin për këtë veprimtari të UDB e dhanë organet më të larta partiake dhe shtetërore, ndërsa ky organ e zbatoj plotësisht këtë projekt. Autorja konstaton se largimi, transferimi dhe kontrolli i mësimdhënësëve shqiptarë nuk ishte synim parësor i pjesëtarëve të UDB. Këtu shohim se qëllimi kryesor dhe i fundit ishte që te mësimdhënësit shqiptarë dhe te personeli tjetër i shkollës dhe i arsimit në gjuhën shqipe të fusnin frikën për orientimet e tyre kombëtare. Në këtë mënyrë shton autorja, krijoheshin parakushtet për shkrirjen e shqiptarëve në sllavë apo të zbrazjes së Kosovës nga elementi i padëshiruar dhe i urryer shqiptar por mbizotërues në Kosovë.

Nga shifrat që ka siguruar dr. Sulltane Kojçini-Ukaj shohim se 128 mësimdhënës ishin përjashtuar, 9 të transferuar, kurse 12 planifikoheshin të ndiqeshin e të kontrolloheshin nga UDB. Kjo historiane e përkushtuar në studimin e aspekteve arsimore konstaton në fund se kuadri arsimor shqiptar gjatë viteve 1945-1952 falë qëndresës së mësimdhënësve patriotë, dëshirës së madhe për shkollë e arsim, si dhe rrethanave të tjera mbizotëruese në RSFSJ, mësimëdhënësit shqiptar në Kosovës arritën t’i kundërviheshin mjaft mirë qëllimeve dhe synimeve të UDB, edhe pse ajo u dëshmua si organ i shtypjes, i krimeve dhe i gjenocidit të paparë kundër popullit arsimdashës shqiptar.
Në fund të librit mund të shohim edhe faksimile të ndryshme arkivore të organeve të UDB mbi përcjelljen e kuadrit arsimor shqiptar pastaj portrete të arsimtarëve të njohur shqiptar si : Enver Tali, Zekeria Rexha, Nijazi Straja, Rexhep Hoxha, Ali Hadri, Ismet Dehiri, Zeqir Bajrami, Shyqyri Qehaja, Beqir Kastrati, Hasan Mekuli, Salih Nushi, Vahide Hoxha, Engjëll Berisha e ndonjë tjetër. Autorja e këtij libri dr. Sulltane Kojçini-Ukaj me botimin e këtij libri ka plotësuar një zbrazti të madhe në historiografinë kosovare.
Ajo duke prekur pikërisht temën e arsimit kosovar pas LDB, ka shterrur aspektin parësor atë të ndjekjes së arsimtarëve shqiptar nga ana e Jugosllavisë. Me përpjekje të madhe është dhënë një tablo e qartë se arsimtarët dhe shkollat shqipe në Kosovë si shtylla kryesore të emancipimit shoqëror të popullit ishin tërësisht të ndjekura nga pushteti jugosllav. Mund të theksojmë në fund se autorja ka arritur të triumfojë më këtë libër sepse ka shlyer një borxh të madh ndaj gjithë atyre gjeneratëve të para pas LDB në Kosovë, të cilët dhanë gjithçka për Kosovën.

* Autori punon në Institutin e Historisë – Prishtinë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!