Kur e vendosi taksën ndaj Serbisë, partia që e qeveris sot Kosovën, ia dha mbështetjen e plotë kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj.

Kur amerikanët ia shtuan presionin, lideri i AAK-së, rezistoi deri sa dha dorëheqje dhe e çoi vendin në zgjedhje.

“JO”-ja e Haradinajt atëherë nuk e bënte anti-amerikan Ramushin, ndërsa tash, paskan ndryshuar rrethanat.

Ju pëlqen!

Vendimi për targat, një çështje administrative, ligjore e brendshme, e Kosovës, ka peshë më pak të ndjeshme sesa ai për taksën 100 për qind.

Megjithatë, kreu i AAK-së ka shpërthyer me ashpërsi ndaj kryeministrit të vendit, duke përfunduar edhe në ballinat e mediave serbe.

Përpjekja për të treguar autoritet shtetëror, nuk e bën anti-amerikan askënd. Nënshtrimi ndaj Serbisë, për një çështje kaq minore, si puna e targave, do të ishte një zmbrapsje në rrugën drejt vendosjes së ligjshmërisë së plotë në tërë territorin.

Kosova vërtet është e vogël përballë botës dhe partnerëve, por çfarë kuptimi ka shteti nëse nuk e ushtron autoritetin e vet, së paku në çështje si targat, etj.

Ramush Haradinaj, në vend që t’i dalë në krah Albin Kurtit, shkon deri aty sa e akuzon edhe se po punon në favor të Serbisë e Rusisë.

E pakuptueshme kjo sjellje e një lideri opozitar? Pak më të moderuar duken dy të tjerët, kryetarët e PDK-së e LDK-së.

Por, ku i dhemb kaq shumë liderit të Aleancës? Ai është ndër politikanët më të pasur në Kosovë. E vërtet, ka luftuar. Por, kanë luftuar edhe plot të tjerë, që sot nuk i ngopin dot fëmijët me bukë.

Kurti ua ka prishur biznesin gjigand politikanëve kosovarë (shqiptarë në Kosovë). Hajnia, kuptohet, nuk është zhdukur, por së paku, sot vidhet më pak. Shumë më pak.

Byroja për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme, u rri mbi kokë ish-pushtetarëve të korruptuar të Kosovës. Mund t’i rrijë edhe Ramushit &CO.

Albin Kurti erdhi në pushtet që Kosova të ketë rend e drejtësi, zhvillim e mirëqënie, barazi dhe qeverisje të pakorruptuar.

Serbia nxiti veprimin më radikal deri më tash, pikërisht kur vendin e udhëheq Kurti. Është i madh dëmi, por nga ana tjetër, braktisja e institucioneve nga Lista Serbe është edhe fundi i një farse të gjatë.

Serbët aty ishin, por gjithnjë në shërbim të Serbisë. Pagat I merrnin në Prishtinë, urdhrat në Beograd.

Tani është hapur kutia e Pandorës. Statuskuoja mori fund. Me Kurtin, Vuçiqi nuk bën dot as pazare për territore, as manovra të tjera, që i bënin Thaçi me shokë.

Në raport me Serbinë, politika kosovare do të duhej të ishte unike në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në zbatimin e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit.

Kur Haradinaj protestonte edhe me gaz lotsjellës kundër Demarkacionit me Malin e Zi, Kurtin e kishte në krah, por kur u ul në kolltukun kryeministror e harroi kauzën që e solli në pushtet.

Kurtit i kërkohet sot Asociacioni nga marrëveshja që rezultoi antikushtetuese, që sa ishte në opozitë e kundërshtonte si rrezik real për boznjëzimin e Kosovës. Fundja, kjo është një marrëveshje e nënshkruar nga qeveritë e kaluara, e ratifikuar me votat e PDK-së, LDK-së e AAK-së.

Detyrimi është ligjor, kushtetues dhe ndërkombëtar për Kosovën, por kryeministri po bën të pamundurën të mos e lejojë që të ndodhë.

Se sa do të jetë kjo rezistencë, mbetet të shihet, por është e turpshme që përballë Serbisë, klithma si ajo e Ramush Haradinajt, bëjnë jehonë negative për Kosovën.

Me muskujt e bërtima, me arrogancë e akuza të pavend, nuk arrihet asgjë.

Kurti mund të akuzohet nëse e refuzon një plan të dobishëm për Kosovën, siç është ai franko-gjerman, të cilin Serbia përmes dramës në veri, po e kundërshton, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, pushteti kosovar ka shfaqur qëndrimin pozitiv në raport me planin.

Problemi mbetet Serbia e Vuçiqit. Ajo është aleate e Rusisë dhe e minon stabilitetin në Kosovë, duke i bërë kurban serbët lokalë.

Ramushi e ka gabuar sërish adresën. Por, nuk është hera e parë. E di ai, ku i dhemb./Syri.net/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!