Kur flasim për misteret më të mëdha shqiptare të bien në mendje shumë histori dhe legjenda, shumë prej tyre të trilluara, por ka dhe nga ato që qëndrojnë më të forta se vetë koha. Një ndër to është edhe e fshehta e thesarit të Ali Tepelenës, Pashait të Janinës.

Si mund të mos interesohesh për të kur bëhet fjalë për 40 tonë ar të pastër dhe një shumësi diamantësh? Epo me një pasuri të tillë gjithë hallet tona do të zgjidheshin dhe do të jetonim të lumtur në jetë të jetëve, por nuk është e thënë për ne…

Deri më sot na vijnë disa të dhëna për vendodhjen e tij dhe pikat më të forta qëndrojnë në Vlorë, përkatësisht në kalanë e Porto Palermos ose e Vasiliqisë dhe në Shpellën e Haxhi Alisë në Karaburun. Po çfarë na bën që të mendojmë diçka të tillë?

Si fillim në histori thuhet se Kalaja që tani ka marrë emrin e Porto Palermos është ndërtuar nga Ali Pashai si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë, por a është e vërtetë kjo, apo është ndërtuar si fortesë për të mbrojtur diçka më të madhe, një thesar ndoshta? Epo kjo mbetet për tu parë. Le t’i hedhim një sy më nga afër kësaj kalaje sa legjendare aq e misterioze.

Të gjithë e vlerësojmë relievin si një nga bukuritë më të mrekullueshme në Mesdhe, ku të ofrohen jo vetëm pamje të mrekullueshme, por edhe plazhe shumë të bukura. Borshi, Himara, Dhërmiu janë disa nga vendet jo vetëm më të bukurat, por edhe me histori.

Tani do të flasim për një fshat shumë të veçantë, Qeparon po aq i kërkuar dhe i dashur sa gjithë të tjerët, por që diçka ndryshon me të dhe është, pikërisht ajo, kalaja e famshme e Ali Pashës.

Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos, e cila në antikitet është njohur si në antikitet e njohur si gjiri i Panoramës.

Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparosë dhe ka formë trekëndore. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të. Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshe. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor.

Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët.

Bukuria dhe madhështia e kësaj kështjelle ka zënë vend në shumë libra kushtuar Ali Pashës. Për të, ashtu si dhe shumë të tjerë, ka shkruar dhe Aleksandër Dyma, autori i Konti Monte Kristos.

Kështjella u ndërtua nën kujdesin e arkitektit Petro Përmetari dhe të një arkitekti Italian. Sapo kalon Qeparoin ose Himarën, përballesh me një panoramë të mrekullueshme të detit dhe në mes si një ishull i vogël duket vendi ku është ndërtuar kështjella e Porto Palermos.

Ky emër i ka mbetur këtij gjiri nga koha e pushtimit të italianëve, të cilëve u kujtonte vendin e tyre, qytetin e Palermos në jug të Italisë. Ajo ndodhet në një gadishull që lidhet nga një rrip i ngushtë shkëmbinjsh e dheu me tokën. Kështjella ngrihet madhështore në ishullin e mbushur me një bimësi të ulët. Një rrugicë e ngushtë, ndërmjet kësaj bimësie të ulët nëpër gurë gëlqerorë, që të shpien në derën e dhuratës së Pashait të Madh për të shoqen.

Dikur aty ka qenë një pllakë guri ku shkruhej: ”Unë Pashai i Madh, Aliu e ndërtova këtë kështjellë”. Forma e dhomave, kolonave mbajtëse me harqe dhe disa kthina të vogla të bëjnë të kuptosh se dikur ajo ka qenë e banueshme. Tashmë aty asgjë nuk të kujton kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pamja që shfaqet nga bedenat e kështjellës është e rrallë. Prej aty duket i gjithë bregdeti si dhe Gjiri i nuseve, në të cilin, sipas legjendës, lahej nusja e Ali Pashës, Vasiliqia.

Forma e tarracës tregon se në atë kohë ajo ishte një vend shumë i mirë për tu mbrojtur nga armiqtë. Aty ndodheshin topat luftarakë të Ali Pashë Tepelenës si dhe vendet ku qëndronin ushtarët. Bedenat bien menjëherë mbi det, si thikë, dhe legjenda thotë se aty përfundonin armiqtë e Pashait të Madh.

Dhjetëra burra trima që kishin guxuar të sfidonin Ali Pashë Tepelenën kanë përfunduar në det ose janë përplasur në shkëmbinjtë që ndodhen poshtë bedenave. Forma e tyre tregon se ka qenë shumë e vështirë për t’i pushtuar nga ana e detit.

Rreth 300 metra larg kështjellës, në anë të rrugës ndodhet dhe kisha e famshme, të cilën Ali Pashë Tepelena e ndërtoi personalisht për Vasiliqinë. Kjo dhuratë simbolike ishte tepër e çmuar për Ali Pashën. Kisha ndodhej jashtë bedenave dhe ajo mund të sulmohej nga armiqtë e tij. Ndaj ndërtimin e saj Pashai i Janinës ia besoi arkitektit italian, i cili e mbaroi brenda një kohe të shkurtër.

Kur arkitekti italian i dorëzoi kishën Pashait të Madh dhe i kërkoi paratë për punën e kryer, ky i fundit i propozoi një provë. Ai i tha arkitektit që do t’i jepte paratë për punën e kryer vetëm nëse kisha do të ishte e fortë dhe do të duronte goditjet e topave.

Pasi mbylli arkitektin italian në kishë, Ali Pashë Tepelena urdhëroi topçinjtë e tij të qëllonin mbi kishën e vogël. Disa gjyle topi ranë mbi kishë, por asaj nuk i lëvizi as edhe një nga gurët që përbënin konstruksionin e saj.

Kjo e siguroi Aliun se gruas së tij nuk do t’i ndodhte gjë kur të ishte në kishë. Pas kësaj ai i dha paratë arkitektit italian. Edhe pas kaq vitesh kisha nuk ka pësuar ndonjë ndryshim të madh.

Pra në tërësi Aliu kishte nevojë që aty të ishte një vend i sigurt, por vend i sigurt për gruan e tij të dashur apo për arin e tij? Ende deri sot nuk është zbuluar asgjë edhe pse të thënat janë të shumta.

Një vend tjetër ku mendohet se mund të jetë fshehur thesari në vendin tonë është gadishulli i Karaburunit, e posaçërisht në shpellën e famshme të piratëve ose të Haxhi Alisë. Kjo shpellë fsheh misterin e saj sepse është e përbërë nga disa zgavra të vogla të cilat thuhen se lidhin dhoma me njëra-tjetrën, por kjo sigurisht që nuk është e konfirmuar sepse nuk ka dalë asnjë i gjallë që të tregojë për to, madje as trupi nuk iu është gjetur. Dyshohet për këtë shpellë pasi që thuhet se Ali Pashai me të tijët shkonte shpesh aty dhe nuk ka vend më të mirë për të fshehur një thesar të të tilla përmasave.

Por le t’i hedhim një sy legjendës së kësaj shpelle legjenda e së cilës daton që në vitet 1500.

Kjo mendohet se ka qenë banesa më e sigurt e ulqinakasit Haxhi Ali Ulqinaku, i cili bashkë me tartanët e tij kishte qenë kryekomandant i flotës turke të Mesdheut e në fund të shekullit XIX, kapedani i detit erdhi u vendos në Karaburun dhe mbronte brigjet shqiptare nga sulmet që bënin venecianët, saraçenët nga Malta dhe Egjipti, spanjollët, anglezët dhe francezët. Për plotë 22 vjet u bë mbrojtësi i këtyre brigjeve. Në luftë me venedikasit ai u vra dhe varri i tij thuhet se është në det.

Anijet kur kalonin i binin sirenave dhe hidhnin bukë e vaj për shpirtin e tij në det. Këtë zakon e vijojnë dhe disa nga banorët e Dukatit, në zonën e Ravenës, ku kanë bagëtitë që jetojnë atje. Çdo mëngjes gushti hedhin bukë e vaj në det për shpirt të Haxhi Alisë.

Kjo është shpella më e madhe e bregdetit shqiptare cila ka një lartësi me hyrje mbi 60 metra mbi nivelin e detit dhe sipas historianëve kjo është edhe shpella që emrin e vjetër e ka dhe Shpella Iliriane. Shpella Iliriane e përdorur nga Haxhi Aliu është një dëshmitare interesante e historisë.

Duke u futur në brendësi të shfaqet një liqen në forme eliptike me aksin e madh të drejtuar nga hyrja. Salla ka një shtrirje në gjatësi prej 60 m e orientuar sipas Veriperëndimi-Juglindja dhe një gjerësi nga baza (mbi nivelin e detit) rreth 40 m në pikën më të gjerë. Në tërësi shpella është e gjatë rreth 100 m.

Thellësia e liqenit të brendshëm arrin 10,4 m drejt anës verilindore të fundit të shpellës. Në paretet shkëmbore të sallës përballë hyrjes paraqiten stalaktite të pjerrta me origjinë të mundshme organogjene ose të përzier. Në hyrjen e saj janë gjetur fragmente amforash antike të shekujve të parë të epokës sonë.

Kjo shpellë vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e detarëve të huaj e shqiptare. Detari i guximshëm shqiptar Haxhi Aliu e ka përdorur atë si strehë mbrojtëse duke u përleshur me anijet e huaja grabitqare, të cilat tentonin të hynin në Gjirin e Vlorës apo të grabisnin piratisht bagëtitë e vendasve në Karaburun.

Rreth viteve 1540-1545, është përdorur nga piratët francez për t’u mbrojtur siç thuhet edhe në toponimet afër shpellës.

Misteri rrethon jo vetëm thesarin në tërësi, por edhe vendet në të cilat mendohet se ai mund të jetë fshehur… Kërkimet vazhdojnë, deri më tani nuk ka asnjë gjë të re për të…