Vjollca Aliu
Uroj që izolimi në shtëpi në këtë kohë emergjente të pandemisë na ka mjaftuar të flasim me veten dhe të shohim kah t’i kthejmë sytë, mendjen, zemrën,…
Ktheni sytë kah FËMIJËT, sidomos ju prindër, që shpesh duke vrapuar pas punës, karrierës, famës, nuk keni qenë pranë kur fëmija i juaj ka filluar hapat e parë, ndoshta për të vrapuar poashtu si ju pas të “famshmes” karrierë. Apo, nuk keni qenë afër fëmijës tuaj kur çanta e tij disa kilogramëshe peshonte mbi shpinën e njomë, duke e mashtruar fëmijën tuaj dhe poashtu edhe veten tuaj, se i keni siguruar dikë me pagesë që të kujdeset për atë. Por, jeni mashtruar thellësisht, sepse kështu nuk i keni ofruar kujdes, por lakmi pas parasë. Kështu e keni mësuar fëmijën tuaj me pangopshmëri për paranë, i keni mbjellë bindjen se “paraja blenë gjithçka”. Ajo “blenë” kujdestar që ofron mbikëqyrje në këmbim të parasë, por jo kujdesin siç e jep prindi me dashuri, pa këmbim. Kështu e keni orientuar fëmijën tuaj drejt rrugës së errët, greminës jetësore, duke e mashtruar se me para në të ardhmen mund “të blej” edhe një diplomë, të çdonjërës fushë studimi.
E keni mashtruar kështu fëmijën tuaj, e keni groposur mendjen dhe zemrën e tij për të mos u munduar e për të mos e ndjerë punën dhe profesionin e vet. Me para ai mund “të blej” diplomën, por jo dijen dhe aftësinë për të ushtruar atë profesion. Ai mund “të blej” nesër një diplomë në fushën e mjeksisë, por kurrë aftësinë dhe ndjenjën për kujdes ndaj pacientëve. Prandaj, ju prindër, sot më shumë se kurrë, në këtë gjendje emergjente pandemie, kur bota dhe Kosova bashkë me të po përjeton një trishtim, dhimbje,…, ktheni sytë së pari kah fëmijët, kah kujdesi ndaj tyre, kah e ardhmja e tyre pa mashtrime. Mbjellni edukim tek ata, ushqeni me dashuri, rritni pa ndjenjën e urrejtjes për të tjerët, udhëzoni për punë e arritje me merita! Mos u falni luks, por faljuni zemër e bindje se jeta është më e ëmbël kur e shijon edhe dhimbjen e “gjunjëve të gjakosur” për të arritur sukseset.
Ktheni sytë kah SHKOLLAT, KOLEGJET e UNIVERSITETET, ju mësues, arsimtarë e profesorë, ku çdo nxënës apo student i juaji është një “petal trëndafili” prekur nga “vesa mëngjesore”. Angazhimi juaj në rritën e tyre arsimore është garancë edhe për të ardhmen tuaj më të mirë, më të ndritshme. Mos u jepni nota pa meritë, por jepni njohuri, ushqim për trurin! Njohuritë që marrin nga ju sot, dija dhe puna e tyre e vazhdueshme nesër e rritin vlerën e tyre, por edhe tuajën, njëkohësisht.
Ktheni sytë kah SPITALET, ju që ishit përgjegjës për sistemin shëndetësor! Secili nga ne mund të kemi nevojë për kujdes e trajtim mjekësor dhe mund të përjetojmë mungesën e shumë gjërave esenciale që do të na duheshin, por jo ju që keni milionat dhe keni mundësinë të trajtoheni për mjekime nëpër klinikat më me renome evropiane apo botërore, sepse e dini se çfarë keni bër. Asgjë. Dhe, nga asgjëja do të ikni… Sepse, asgjë nuk punuat për të tjerët e çdo gjë morët për vete. Edhe ato maska që i maskuan fytyrat tuaja djallëzore po u bien, sepse erdhi koha që njëri-tjetrit po i gërvishni fytyrën për të bëmat dhe mosbëmat tuaja për vite me radhë. Nëse sytë tuaj ishin “të verbër” deri tani, zemrat tuaja nuk rrahnin për askënd tjetër përveçse për veten tuaj dhe mendja nuk ju shkonte për të mirën e askujt, atëherë, së paku sot hapni sytë kah populli, “pastroni” zemrat, ndiqni tik-taket e zemrave në nevojë, kthjelleni mendjen, kujtesën dhe filloni. Filloni, sepse nuk keni çka të vazhdoni. Mos vazhdoni me të keqen e deritanishme, por filloni të mirën, të duhurën, të nevojshmen. Filloni me bardhësi, sikur bardhësia e mantelave të mjekëve e infermierëve, të cilëve u morët shumëçka, përveç ndjenjës, aftësisë dhe betimit për kujdes ndaj pacientëve.
Ktheni sytë kah POLICIA, ju që manifestoni  kujdes e respekt për policinë vetëm kur festoni në emër të tyre, për të arriturat dhe punën e mirë. Ju që nuk brengoseni për jetën e tyre, që edhe pas 2 dekadash themelimi të organizatës policore i keni lënë pa sigurim shëndetësor. Mos u jepni grada e shpërblime duke i diskriminuar në të drejtën për jetë të sigurtë shëndetësore! Mos i merrni lavdërimet për sukseset e tyre, por jepni llogari para tyre për dështimet tuaja! Mos harroni se, sigurimi i shëndetit të policit është siguri për jetën tonë!
Ktheni sytë kah ZJARRFIKËSIT, ju që fleni pa u brengosur se një zjarr i vogël mund të merr përmasa katastrofale në mungesë të mjeteve reaguese dhe mbrojtëse për zjarrfikësit e paktë që ka vendi ynë. Mos përpiloni vetëm plane veprimi kundër zjarreve, por kujdesuni për numrin e nevojshëm për zjarrfikës, për kushtet e punës, mirëmbajtjen e mjeteve ekzistuese, sigurimin e mjeteve dhe pajisjeve të nevojshme për funksionimin e punës së zjarrfikësve. Krijoni rregulla për veprime, por bëhuni bashkëzbatues!
Ktheni sytë kah MIRËMBAJTËSIT e ambientit, ju që nuk vlerësoni punën e tyre, përveç në paraqitjet e juaja publike para ndonjë televizioni apo para ndonjë donatori. Gjendja e mirëmbajtësve të ambientit me fshesa e lopata në sheshe, rrugë e rrugica, nuk ju njollosin fare ndërgjegjjen zyrtarëve kompetent për kushtet jo të mira për punë, edhepse pasqyrë e ambientit është puna e tyre. Mos rritni numrin e zyrtarëve në kompani pastrimi, në drejtori komunale apo në ministri për ambient, por siguroni mjete, pajisje e kushte për punën e mirëmbajtësve, sepse një copëz e jona shëndeti është në duart e tyre.
Ktheni sytë kah KOSOVA, ju deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  President, Kryeministër, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, zyrtarë publik, pjesëmarrës të politikave e vendimeve publike, të gjithë ju që keni në dorë fatin e 2 milion njerëzve të këtij vendi. Mos punoni për interesin personal, mos punoni për inat të njëri-tjetrit, mos veproni në kundërshtim me interesat dhe nevojat e popullit! Mos punoni e veproni pa e analizuar punën dhe veprimet e juaja, mos merrni vendime të ngutshme që do të u shpiejnë në vendime të tjera që sjellin humbje të natyrave të ndryshme! Bëni bashkë njohuritë, dijet, punën e bashkëveproni për të mirën e këtij vendi, këtij populli që e meriton gjithmonë vetëm të mirën, mirëqenien, jetën e lirë dhe të sigurtë!
Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!