Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se ligji e përcakton se nuk do të ketë paga për ata që nuk punojnë, teksa ka shtuar se SBASHK-u i ka lënë në baltë anëtarët e vet me papërgjegjësinë e tyre.

“Është definitive që ligji për greva neni 18 e përcakton qartë se mospunë nuk ka pagesë dhe është e vërtetë që ne këtë e kemi diskutuar më shumë se një herë me kryesinë e SBASHK-ut duke u siguruar që të përcjellin mesazhin te mësimdhënësit, në mënyrë që vendimet t’i marrin të bazuara në argumente”, ka thënë Nagavci .

Ministrja Nagavci gjithashtu ka shtuar se orët e humbura do të kompensohen dhe se kanë rishikuar kalendarin.

“Në një situatë të tillë, ku për fat të keq kemi një kryesi të Sindikatës së Arsimit që i la në baltë të gjithë anëtarët e vet me një papërgjegjësi të plotë dhe madje edhe në këtë situatë kur do të duhej të ishin në diskutime për të parë se a mund të realizohet ndonjë gjë ata vazhdojnë me kërcënime se nuk do të kompensohen orët. Si qeveri jemi në dijeni për gjendjen socjo-ekonomike dhe për inflacionin si dhe jemi të vetëdijshëm për ligjet në fuqi dhe orët e humbura duhet të zëvendësohen”, shtoi ministrja e Arsimit.

Ajo ka shtuar se pagesa e mësimdhënësve do të bëhet si avans.“Ne kemi dërguar propozimin në Ministrinë e Financave që të bëhet pagesa avans me pritjen edhe garancinë që secila ditë e planifikuar nga të gjithë mësimdhënësit. Dhe ideja ishte që qeveria të realizojë sa më parë këto pagesa në mënyrë që të mos pritet muaji tetor”, shtoi ajo në ATV