Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për 2 Korrikun, ditën kur u bë miratimi i Deklaratës Kushtetuese e Kosovës.

Kurti shkruan se 32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.

“Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre”, shkruan Kurti.

Ju pëlqen!

Ja fjala e plotë e Kryeministrit:

Në ditën e sotme, më 2 korrik të vitit 1990, përmes Deklaratës Kushtetuese u shpall Republika e Parë e Kosovës. (Parulla kryesore në demonstratat e studentëve dhe punëtorëve në mars e prill 1981, pat qenë: Kosova Republikë!)

Në kushtet e represionit të pushtetit të Serbisë, delegatët u mblodhën jashtë dyerve të Kuvendit, meqë nuk lejoheshin të hynin brenda.

32 vite më parë triumfoi legjitimiteti popullor i vullnetit qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë.

Deklarata Kushtetuese u nënshkrua prej 114 delegatëve nga shumica shqiptare e pakicat boshnjake e turke. Kjo deklaratë ishte akt i vetëvendosjes politike dhe artikulim i qartë i vizionit e vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Që ky vullnet të bëhet realitet u bënë shumë sakrifica e flijime, shumë punë e angazhim.

Me krenari e respekt kujtojmë delegatët nënshkrues, ata që janë mes nesh dhe ata në përjetësi. I paharrueshëm është kujtimi për ta dhe veprën e tyre.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.