Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar tashmë se thirrjes së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë takim, i janë përgjigjur pozitivisht të dy liderët.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ju pëlqen!

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

BE-ja i ka shmangur përgjigjet në pyetjet e gazetarëve rreth shkeljes së mundshme të marrëveshjes që ka bërë Serbia, duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Lexo po ashtu:  Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: E ka shansin e fundit ta bëjë një punë të mirë për Kosovë!

Marrëveshja, e cila është njohur më herët edhe si propozimi evropian, ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar javën e kaluar edhe me Kurtin, edhe me Vuçiqin në lidhje me takimin e sotëm dhe ka shfaqur shpresën se palët do të jenë konstruktive.

MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!