Prishtinë, 7 mars 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ka marrë pjesë në zbulimin e pllakës “Shtëpi-Shkollë”, në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, si dhe ka vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ” Elena Gjika”, shkollën më të vjetër në Kryeqytet.

Gjatë zbulimit të pllakës, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për familjen Gashi, për kontributin dhënë arsimit në Kosovë.

Ju pëlqen!

Duke e cilësuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin si një profesion të shenjtë për gjithë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, kryeministri Kurti tha se Ibrahim Gashi si rrallë kush, ka dhënë kontribut për arsimin e viteve të ’90-ta. Ai kujtoi se z. Gashi ka ndërruar jetë një vit para shpalljes së pavarësisë, ndërkaq tha se tërë jetën e ka pas për liri, pavarësi e për bashkim.

“Prandaj, ky moment është shumë i veçantë jo veç për familjen e juaj por për të gjithë neve, për të gjithë neve që e kemi njohur, ndërkohë, që të gjithë edhe ata që s’e kanë njohur i gëzojnë sot frytet e kontributit të tij. Prindërit i patëm për shtëpitë shkolla, e fëmijët në shkolla ndjehen si në shtëpi sidomos te në që kemi qenë shumë gjatë nën okupim”, deklaroi kryeministri Kurti.

Në kuadër të aktiviteteve për 7 Marsin, kryeministri Kurti e vazhdoi vizitën e tij edhe në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, me ç’rast u shpreh i nderuar të ishte i pranishëm në këtë shkollë, në këtë ditë shumë të veçantë.

“Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”, tha kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’iu dhënë mbështetje mësimdhënësve që t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.

“Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, tha më tej kreu i Qeverisë i cili për fund ritheksoi mirënjohjen e pafund për gjithë rolin, angazhimin dhe kontributin, për fitoret kryesore drejt së ardhmes që tha se po ndërtohet bashkërisht.

Objekti i shkollës “Elena Gjika”, është ndërtuar në vitin 1927 dhe është objekt i mbrojtur- Trashëgimi Kulturore.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ” Elena Gjika”:

Të nderuar mësimdhënëse edhe mësimdhënës,
Staf i shkollës “Elena Gjika”,

Ne jemi shumë të nderuar dhe të gëzuar që ndodhemi sot në mesin tuaj, në një ditë shumë të veçantë, siç është 7 Marsi, Dita e Mësuesit.

Meqenëse kemi nevojë për shëndetësi të mirë, kemi nevojë për ekonomi të zhvilluar, kemi nevojë për siguri të qëndrueshme, por do të thoshim, mbase jo vetëm sot, se para së gjithash e mbi të gjithash kemi nevojë për arsim cilësor, e arsimi varet sa nga nxënësit dhe familjet, edhe më shumë nga mësimdhënësit, që do të thotë nga shteti.

Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin, tek ju e takon shtetin për herë të parë dhe, nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë, edhe ne nuk jemi të vetëdijshëm sa shumë fëmijët rriten brenda raportit nënë-mësuese.

Ajo çfarë jemi sot me përvojën, dijen, karakterin tonë, varet shumë prej kësaj situate të definuar nga këto dy personalitete. Pra, nëna edhe mësuesja.

Andaj, ne do të jemi bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me znj Arbërie Nagavci dhe me gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës sa më pranë jush, në mënyrë që t’ju ndihmojmë, t’ju mbështesim, që edhe mësimdhënësit t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.

Se çfarë është e ardhmja jonë, më së shumti mund të kuptohet nga ajo se sa janë më të mirë nxënësit e një viti, krahasuar me vitet paraprake.

Nëse nxënësit nëpër shkolla na dalin gjithnjë e më të zot, më të dijshëm, më të aftë, më të mençur, atëherë e ardhmja jonë është shumë më e mbarë dhe më e mirë se sa sot edhe shumë më e sigurt se sa që e kemi aktualisht.

Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen.

Shpesh kemi dëgjuar se si na thonë që rinia është e ardhmja. Në fakt, rinia është e tashmja. E ardhmja janë fëmijët, bile edhe fëmijët që nuk kanë lindur ende. Ata janë e ardhmja jonë (s’po dëgjohet mirë), e ju mund ta parashihni të ardhmen tonë, sepse ju e dini se si janë fëmijët e vendit tonë.

Me lejoni që të gjithave dhe secilës prej jush, të gjithëve dhe secilit prej jush, t’ju falënderoj nga zemra dhe t’ua shpreh mirënjohjen time të pafund për gjithë rolin, angazhimin dhe kontributin qe e keni bërë deri më tani dhe shpresoj se me mbështetjen tonë e me bashkëpunimin e përbashkët, rezultatet më të mëdha, fitoret kryesore, jo vetëm në fushën e arsimit, do t’i kemi pikërisht në të ardhmen, të cilën po e ndërtojmë dhe zhvillojmë së bashku.

Urime 7 Marsi të gjithëve!

Burimi:://kryeministri.rks-gov.net
Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.