Në dy letra urimi për fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë qëndrime diametralisht të kundërta nga kryeministri izraelit dhe presidenti turk lidhur me çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Në fillim të shkurtit Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, bazuar në marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Washington. Sipas kësaj marrëveshje, Kosova do të hapë ambasadën e vet në Izrael në qytetin e Jerusalemit.

E në letrën e urimit për fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu e ka ftuar Kurtin në Jerusalem në inaugurimin e ambasadës së Kosovës. Në anën tjetër, në një letër urimi nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i është kërkuar që të shmangë marrëveshjen për hapjen e ambasadës në qytetin të cilin për kryeqytet e kërkojnë Izraeli dhe palestinezët.

Ju pëlqen!

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”, ka shkruar ndër të tjera Netanyahu, në letrën që ia kishte dërguar Kurtit më 17 shkurt.

Ndërkaq, duke iu referuar raportimeve se VV-ja do të rishikojë hapjen e ambasadës në Jerusalem, Erdogani i ka thënë Kurtit se po të shmangej një hap i tillë do të bëhej gjëja e dobishme.

“Edhe gjatë periudhës së ardhshme, Turqia, sikurse përherë, do të jetë në mbështetje të popullit të Kosovës. Për më tepër, jam gëzuar gjithashtu kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Jam i mendimit se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, që mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka thënë Erdogani në letrën e tij.

Pos Netanyahut e Erdoganit, në letrat e publikuara nga zyrtarë të Vetëvendosjes të shtunën, fitoren Kurtit ia ka uruar përmes letrës edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, partitë Socialdemokrate në Zvicër dhe Gjermani dhe presidenca e Venezuelës.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.