Kryeministri i pakorruptuar i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se kryeprokurori i ri i Kosovës duhet të jetë një person me integritet të lartë moral dhe profesional.

Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se pret që përzgjedhja e kryeprokurorit të jetë proces i drejtë, transparent dhe meritor.

Deklarata e Kurtit është bërë në ditën kur zhvillohet intervistimi i kandidatëve për këtë pozitë.

“Sot zhvillohet intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit. Ky proces është tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës, për qytetarët dhe shtetin e së drejtës, prandaj ka vëmendjen e të gjithëve. Kosova dhe qytetarët kanë nevojë që të zgjidhet një kryeprokuror që ka intergritet të lartë moral dhe profesional por edhe që është i guximshëm, punëtor e energjik. Krimi i organizuar, korrupsioni i lartë dhe çdo lloj kriminaliteti duhen luftuar kudo e tërë kohën. Drejtësia nevojitet për dinjitetin dhe mirëqenien e qytetarit por edhe për sigurinë tonë shtetërore e kombëtare. Si kryeministër i vendit pres që ky proces të jetë i drejtë, transparent dhe meritor”, ka shkruar Kurti.