Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Ai ka thënë se s’ka “Ballkan të Hapur”, pa trajtim të barabartë dhe pa qenë gjashtë vendet e rajonit. Madje, sipas tij, ky ka qenë edhe mesazhi i të dërguarit të posaçëm të ShBA-së, Gabriel Escobar për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, iu përgjigj negativisht presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për këmbim të energjisë elektrike me linjit të Kosovës.

Ju pëlqen!

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë thënë shumë qartë se pa qenë gjashtë shtetet aty, nuk ka themelim të ashtuquajturit “Ballkan të Hapur”. Ballkani është i hapur ndaj Bashkimit Evropian, duhet të jetë plotësisht i hapur edhe ndaj NATO-s, pasi nuk është i hapur ndaj NATO-s për shkak të qëndrimit të fqinjit tonë verior dhe Republikës serbe në Bosnje, të cilët po e mbështesin Kremlinin në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës”, tha ai.

Duke komentuar vizitë e nesërme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë, kreu qeveritar tha se pret një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit.

“Një fillim të ri dhe energjik të Procesit të Berlinit, ku jemi të gjithë të barabartë dhe ku përshpejtohet anëtarësimi i të gjitha vendeve, duke u bazuar në respektimin e sundimit të ligjit, demokratizmit, luftimit të korrupsionit dhe ballafaqimit me të kaluarën, meqenëse kemi në Serbi një pushtet që mohon masakrën e Reçakut dhe nuk ka bërë asgjë në raport me kriminelët e luftës, të cilët vazhdojnë atje të jenë të lirë dhe pamenduar, përveç të pandëshkuar, shtoi Kurti.

I pyetur për ofertën e Vuçiqit për këmbimin e linjitit me energji elektrike serbe, Kurti tha se kjo është një përpjekje e tij që nga projekti i shkëmbimit të territorit të kalojë në shkëmbimin e qymyrit.

“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë që të kalojë nga projekti i dështuar i shkëmbimit të territoreve, në këtë të shkëmbimit të qymyrit. Pra në vend të territorit të Kosovës, po kërkon qymyr nga Kosova, por ai duhet që të njoh pavarësinë e Kosovës, t’i pranojë krimet e kryera gjatë luftës nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë dhe duhet të distancohet nga presidenti despotik, Putin, përveçse nga Millosheviqi, ministër i të cilit ka qenë atëherë” , theksoi Kurti.

Pas dorëzimit të disa medaljeve të njësive speciale të EULEX-it, kryeministri Kurti foli edhe për protestën e veteranëve dhe rritjen e pagës minimale.

Ai tha se fillimisht duhet pastrim i listave të veteranëve dhe pastaj rritje të pensioneve të tyre.

“Dëshiroj të ketë vlerësim më meritor dhe dinjitetshëm për të gjithë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata meritojnë edhe më shumë se paga minimale, por ajo nuk mund të jetë pagë, pasi e njëjta jepet për punë. Ka shumë veteranë që kanë nevojë për vende pune, por për luftën çlirimtare duhet të ekzistojë një vlerësim meritor edhe material, veçse nuk duhet të mashtrojmë as vetën dhe gjeneratat e ardhshme me numër të fryrë, gati në trefishim. Prandaj është e domosdoshme që të kemi pikënisje të vërtetën, pastaj të kemi vlerësimin e duhur. Ne kemi trashëguar një gjendje ku janë fryrë padrejtësisht, gabimisht dhe dëmshëm listat me veteranë të luftës çlirimtare. Unë kam respekt të pafund për gjithë veteranët e UÇK-së dhe e kuptoj se edhe ata që janë regjistruar si veteranë, kur iu është ofruar pa qenë të tillë e kanë bërë këtë, ndoshta edhe nga halli, por rrëfimi për luftën çlirimtare nuk guxon të dëmtohet përmes listave të fryra”, the ai.

Derisa edhe sqaroi se a është veteran i vërtet i UÇK-së, pas akuzave të opozitës se ai është veteran i rrejshëm.

“Unë kam punuar në zyrën e përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së, zotëri Adem Demaçit. Të gjithëve neve që kemi punuar aty, kolektivisht u patëm regjistruar dhe me këtë rast, dua të theksoj se as kompensimin si ish i burgosur politik dhe as këtë për kontributin në luftën çlirimtar nuk e kam pasur dhe nuk e kam ndërmend t’i marrë”, theksoi Kurti./KP

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.