Qasja konfrontuese e presidentit Thaçi edhe ndaj negociatorëve të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, po vlerësohet e dëmshme.

Presidenti deklaroi të martën se nuk do të marrë pjesë në negociatat me Serbinë, nëse ato udhëhiqen prej përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, raporton KOHA.

Ju pëlqen!

Pas ndryshimit që prodhuan zgjedhjet në lidershipin e BE-së, presidenti në disa raste e ka vënë në dyshim besueshmërinë e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe emisarit special për dialogun, Lajçak.

BE-ja ka refuzuar t’i komentojë deklaratat e presidentit Thaçi.

Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë në Komisionin Evropian i ka thënë “Kohës” se dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejt, sapo të krijohen kushtet pas pandemisë.

“Ne nuk komentojmë këtë deklaratë të z. Thaçi. Dialogu duhet të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundshme, sapo situata e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ta mundësojë këtë”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Por, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka kritikuar presidentin Thaçi për deklaratat ndaj zyrtarëve të BE-së.

Ajo ka shkruar në Twitter se një lider i përgjegjshëm duhet të flasë me negociatorët ndërkombëtarë, dhe se kjo nuk është zgjidhje personale.

“Miroslav Lajçak ka dëshmuar se është duke punuar në negociata të orientuara nga rezultati. Çfarë është më e rëndësishme për Hashim Thaçin?”, ka shkruar Viola von Cramon në Twitter.

KOHA ka pyetur në Presidencë për arsyet që e bëjnë të papërshtatshëm Lajçakun, por nuk ka marrë përgjigje.

Rol aktiv në fazën finale të dialogut kanë marrë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Richard Grenell do të mbetet i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, edhe pas tërheqjes nga pozita e ambasadorit të SHBA-së në Berlin dhe nga posti i shefit të inteligjencës amerikane.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN zëdhënësi i tij, Dick Custin, i cili ka thënë se mezi presin rinisjen e dialogut sapo të krijohet qeveria e re.

“Ambasadori Grenell mbetet i dërguari special i presidentit dhe mezi pret negociatat për fazën e ardhshme të dialogut, sapo të formohet përbërja e qeverisë së Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Grenellit, Dick Custin.

Deri tash në Kosovë ka munguar konsensusi sa i përket kornizës dialoguese, por edhe asaj se kush duhet të jetë ndërmjetës.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se Kosova nuk e ka luksin t’i refuzojë partnerët strategjikë në procesin e dialogut.

“Ajo çfarë ne duhet të kërkojmë janë dy gjëra, është që të kemi një kohezion të brendshëm se si t’i qasemi dialogut, sa u përket parimeve, vijave të kuqe dhe epilogut të tij. Por edhe nga ana tjetër si t’u qasemi partnerëve tanë strategjikë, qoftë BE-së apo SHBA-së dhe të kërkojmë të kemi një koordinim dhe bashkërendim me ta”, ka deklaruar Krasniqi.

Arsyeja kryesore e rrëzimit të Qeverisë Kurti ishte pikërisht heqja e pengesave në dialog, sipas kërkesës së SHBA-së. LDK-ja, e cila ishte në koalicion me Vetëvendosjen, doli kundër vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, si zëvendësim i taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!