Në Kosovë më shumë ka shqiptarë sesa serbë të dënuar për krime lufte. Janë 34 shqiptarë të dënuar, ndërsa 4 serbë.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj flet hapur për shpërputhjen edhe të trysnisë ndërkombëtare për krime lufte, ndaj Kosovës në njërën anë dhe ndaj Serbisë në anën tjetër.

Dhe, kërkoi që kjo të korrigjohet.

Ju pëlqen!

Në këtë kontekst, Haradinaj vuri në dukje se presidenti i Serbisë Vuçiq nuk ka asnjë shqetësim, ani pse ishte ministër në regjimin e Millosheviqit, që ka kryer krime të tmerrshme, jo vetëm në Kosovë.

“Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra: kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje”, tha Haradinaj, raporton RTV21, përcjell Telegrafi.

“Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë. Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen një herë e kam dhënë të dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera, dhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalancë të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt”, ka thënë Haradinaj.

Që nga dorëheqja e Haradinajt është diskutuar për një mundësi lidhjej ndërmjet thirrjes së tij për tu paraqitur në Hagë dhe qëndrimeve të tij politike për kufijtë e Kosovës, Asociacionin e Komunave Serbe dhe taksës për mallrat serbe.

Por, analisti amerikan Edward P. Joseph, nga Unversiteti John Hopkins, thotë se ftesa që Ramush Haradinaj të merret në pyetje në Hagë nuk është ndikuar nga qëndrimet e tij politike.

“Jo. Unë nuk besoj se Gjykata Speciale ka vepruar në një mënyrë politike për të thirrur zotin Haradinaj, si mjet për heqjen e tarifës. Tarifat janë ende në fuqi dhe qeveria duhet të marrë një vendim mbi këtë çështje. Unë shpresoj që me përpjekje të vazhdueshme diplomatike nga Amerika dhe nga Evropa të bëhet i mundur pezullimi i tarifës, por edhe që Serbia të tregojë vullnet të mirë në retorikën dhe veprimet e saj kundrejt Kosovës në një mënyrë që ta kthejë dialogun në rrugën e duhur. Pra, jo vetëm për një rikthim teknik tek dialogu, por në një mënyrë që krijon hapësirë për bashkëpunim të sinqertë. Unë mendoj se kjo është e mundur. Duhet të gjendet një formulë për rifillimin e bisedimeve të drejpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Joseph, për Zërin e Amerikës.

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejten humanitare, deri më tani në Kosovë, për krime lufte janë dënuar 40 persona, prej tyre 34 shqiptarë, 4 serbë, një malazez dhe një rom.

Drejtori i këtij fondi, Bekim Blakaj, thotë se nuk ka bashkëpunim as ndihmë juridike në mes Serbisë dhe Kosovës.

“Si pasojë e bashkëpunimit një numër i madh i krimeve të luftës nuk janë proceduar kurrë para gjykatave. Sepse kryerësit serb të krimeve të luftës nuk janë në Kosovë, ata janë në Serbi”, tha Blakaj. 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.