U krijua Pakti AUUKUS: një aleancë ushtarake mes Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara kundër Kinës
Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë njoftuar për arritjen e ujdisë për një partneritet të ri trepalësh të sigurisë – nën akronimin AUUKUS.

Sipas Huffington Post, aleanca e re do t’i lejojë Australisë të ndërtojë një flotë nëndetëse me energji bërthamore me teknologji amerikane dhe britanike.
Kryeministri britanik Boris Johnson dhe kryeministri australian Scott Morrison, iu bashkuan Presidentit amerikan Joe Biden të mërkurën mbrëma përmes një lidhjeje-video, kur detajet e paktit u njoftuan zyrtarisht.
AUUKUS duket se është një përpjekje e maskuar dobët nga aleatët perëndimorë për t’i rezistuar fuqisë dhe ndikimit në rritje të Kinës, raportuan mediat.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se masa nuk do të përfshijë dërgimin e armëve bërthamore në Australi, por do të lejojë që Marina Australiane të veprojë më e qetë, për periudha më të gjata dhe do të sigurojë parandalim në të gjithë Indo-Paqësorin.
Kryeministri australian Scott Morrison, duke prezantuar një nismë të re me udhëheqësit e dy shteteve të tjera, tha se Australia synon të ndërtojë nëndetëse bërthamore në territorin e saj, teknologjitë e zhvillimit të të cilave do të jepen si pjesë e një partneriteti trepalësh të ri – një partneritet me Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

Boris Johnson, kryeministri britanik, tha se aleanca do ta bënte botën më të sigurt dhe do të krijonte vende pune në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se qëllimi ishte “të punojmë krah për krah për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në Indo-Paqësor”.
Biden, i cili falënderoi dy kryeministrat për kontributin e tyre, tha se “e ardhmja e secilit prej kombeve tona, përfshirë botën, varet nga një Indo-Paqësor i lirë dhe i hapur që do të ketë jetë të gjatë e do të lulëzojë në dekadat e ardhshme”.
Duket se atyre që nuk u përshtatet kjo patetikë, janë nga Kina, dhe ata me siguri nuk e shohin atë në një “aranzhim lulesh”. Kjo është arsyeja pse nuk vonoi shumë dhe nga Pekini erdhi nakesa e parë.
Kështu, Ambasada Kineze në Shtetet e Bashkuara, të mërkurën, 15 Shtator, në përgjigje të njoftimit të Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara për të formuar një Partneritet të ri të Sigurisë Indo-Paqësor (AUUKUS), ka grishur Canberran, Londrën dhe Uashingtonin që të largohen nga të menduarit për Luftën e Ftohtë dhe paragjykimet ideologjike. Ky reagim u raportua nga Reuters.

“(Shtetet) nuk duhet të krijojnë blloqe ekskluzive që synojnë ose dëmtojnë interesat e palëve të treta. Në veçanti, ata duhet të heqin qafe mendimet e Luftës së Ftohtë dhe paragjykimet
ideologjike, ” tha Liu Pengyu, një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington. [GN / ISHGJ]
©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.