Po më kërkoni mbulim pozitiv? 

Po kërkoj të përcillni të vërtetën.

Mund të mos jetë pozitive. 

Ju do të përcillni vetëm atë që është e vërtetë dhe unë do të vazhdoj të garantoj se ajo do të jetë vetëm pozitive

Ky dialog është pjesë e videotransmetimit të parë të Tv Netanyahu që do të shfaqet në Facebook. Ndoshta është hera e parë që hebrejtë nuk na çudisin ne shqiptarëve, që në Tiranë i duan aq shumë e i mbajnë për të mençur. Bibit të Tel Avivit ia ka kaluar me kohë Edi i Tironës, kryeministër i cili prej muaj ka hapur ERTV. Ku edhe aty sipas tij përcillet e vërteta, por ajo pozitivja ama. Biseda promovuese e Netanyahut është bërë me një emër të njohur të televizionit në Izrael, Eliraz Sade.

Po ç’fitoj unë nga kjo? 
Do të të bëj një Like 

Ja fundi i bisedës. Me humor, pa ngarkesa terminologjike, pa monotomi dhe me një kryeministër që shkel syrin, bën gjestikulacione dhe lëviz në karrige. Pra edhe pak aktor.

Njësoj si në Tiranë edhe në Tel Aviv, e nesër dej edhe në Jeruzalem(:)) akuzat për një kazan që sulmon burrat e shtetit është e pranishme. Me ndryshimin se kazanin hebre e akuzon gazetari Sade dhe jo kryeministri: 

Në një kohë që të gjitha stacionet po krijonë lajmet e tyre, ne jemi këtu për t’ju treguar të vërtetën; për të garantuar mbulim pozitiv. Edhe kjo është e vërtetë,thotë ai. 

Ky është problemi i sotshëm: ndërkohë që sulmi mediatik ndaj pushtetit është si kurrë më parë për shkak të teknologjisë së informacionit, pushteti po armatoset me të vetën armë. Ai bërtet me të madhe nga mediat e veta: Shpifje, shpifje, shpifje. 
Vanitoz në kulm, fodull dhe i ngurtë për të mbuluar frikën, ky pushtet bën median, kamerën, gazetarin dhe moderatorin. Ai kërkon jo vetëm ta prodhojë ngjarjen politike dhe administrative, por edhe ta paketojë atë deri në blerësin fundor, konsumatorin e manipuluar. I cili tashmë duhet rimanipuluar në dorë të parë pa ndërmjetësinë e mediave që janë bërë më të pushtetshme se vetë pushteti tradicional. 
Fakt është se Netanyahu është përballë një vendimi të rëndësishëm për karrierën e tij. Prokurori i Përgjithshëm, Avichai Mandelblit pritet të vendosë për të ngritur apo jo akuzë ndaj tij. Por duket se në këtë tërheqje të fundit litari ku përballë tij qëndrojnë akuzat për korrpsion dhe favorizim, Bibi ka nevojë për ta rikrijuar imazhin e  et, për të qenë titulli, teksti, imazhi dhe vokali i lajmit. 

Netanyahut nuk është se i mungojnë mediat nën kontrollin e tij. Ai ka një gazetë në dispozicion me tirazh qindra mijëra(Israel Hayom), një stacion televiziv të gjithin të dedikuar propagandës së djathtë  dhe mbështetjes për të dhe ka po ashtu një detashment me disa të ashtuquajtur gazetarë, disa srej të cilëve të paaftë dhe të papërvojë në mediat kryesore, çka siguron që mesazhet e tij të jenë presente në çdo platformë. Netanyahu megjithatë do më shumë. Njësoj si patroni i tij, Donald Trump, ai nuk kënaqet asnjëherë me mbulim të favorshëm dhe përkëdhelje. Edhe sikur të gjithë gazetarët e vërtetë të mbyllin gojën në Izrael, Netanyahu do të vazhdojë të ndihet i persekutuar,shkruan Al-Monitor, një media e specializuar në zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Për televizionin e Bibit shkruan edhe Breitbart që vë gishtin te fakti se kryeministri izraelit akuzohet për korrupsion. Televizioni personal është një armë kundër Mandelbit që ka deklaruar se do njoftojë vendimin e tij për të ngritur akuzë para zgjedhjeve të 9 prillit. Është e qartë se këto do të jenë zgjedhje për jetë a vdekje për Netanyahun që duket se ka gjetur vetëm një shërbëtor perfekt: Veten. 

Akuza kryesore dhe që pritet të provokojë tërmet është “Çështja 2000” që e lidh Netanyahun në aferë me botuesin e grupit të fuqishëm, “Yedioth Ahronoth” që ka gazetën dhe faqen online kryesor pe në Izrael. Mandelbit ka ndarë mendjen për të trajtuar edhe këtë temë në kuadër të akuzës, por kjo do të përfshinte edhe kreun e grupit Arnon Mozes, një armik po aq i rrezikshëm sa edhe kryeministri. Dhe kjo ndodh ndërkohë që në tavolinën e prokurorit ka regjistrime takimesh sekrete ku është vendosur që grupi të ulë dozën e kriticizmit që të lehtësohej rizgjedhja. Ka inçizime ku dëgjohet Mozes të premtojë një ndryshim, por duke paralajmëruar se nuk ka asgjë në dorë për atë që shkruajnë kolumnistët, ndërkohë që Netanyahu premton se do të dëmtojë shpërndarjen e “Izrael Hayom”, rivali kryesor i Yedioth dhe madje duke mbyllur edhe edicionin e fundjavës. Mozes fiton qindra milionë shekels, Netanyahu edhe më shumë.

Në këtë situatë Bibi del në skenë me një tv personal. Nuk është fjala për të mbuluar sekretin që duket qartë, por për të shpërqendruar dhe relativizuar. Sa kohë që Bini është kryeministër, fjala e tij është lajm dhe e udhëheq debatin. A nuk e shohim këtë edhe me ERTV, që hyn patjetër në kapitullim Gjeneza e Fake news të shekullit të 21? 

 Madje shohim edhe më shumë sesa aq. Shohim falsifikime, censurë dhe më e rënda: shohim vetëm të Vërtetën Pozitive. Ne nuk dimë sesa para janë dhënë njërin gazetar apo tjetrin, se sa dreka dhe darka jepen, meqenëse pazari në Shqipëri është më i ulët, por dimë sesi qeveria shpërndan fondet dhe reklamat. Nuk dimë nëse me pagesat e enteve publike kalojnë apo jo shpërblimet mujore për gazetarë të oborrit, por ama e kuptojmë se z. Rama ndjehu para Bibit nevojë të flasë në vetë të parë. Sepse të gjithë nuk i korrupton dot, kështu që duhet gënjyer sa më shumë. Ku dallojmë nga Izraeli? E thjeshtë. Atje ka prokurori, media reale dhe gazetarë të vërtetë. 

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]