Bota po shkon drejt një hendeku akoma më të madh në ndarjen që ka nisur pas luftës në Ukrainë. Pas armatosjes së Gjermanisë dhe një përshkallëzimi në armatime të të gjithë vendeve të Bashkimit Europian, është koha që Kina të përcaktojë pozicionin e saj.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Kinën që të mos i shkojë në ndihmë Rusisë në Ukrainë, duke thënë se do të ketë “pasoja” nëse Pekini ofron mbështetje për përpjekjet e luftës të Moskës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan ia bëri “të qarta” shqetësimet e Uashingtonit drejtorit të Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Kinës, Yang Jiechi, gjatë një takimi në Romë. Lajmin ua tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ju pëlqen!

“Ne po vëzhgojmë me shumë vëmendje masën në të cilën Republika Popullore e Kinës ose ndonjë vend në botë ofron mbështetje – materiale, ekonomike, financiare, retorike, sidoqoftë – për këtë luftë të zgjedhur që Presidenti Putin është duke bërë kundër Ukrainës”, tha Price.

“Dhe ne kemi qenë shumë të qartë – si privatisht, si publikisht me Pekinin – se do të kishte pasoja për çdo mbështetje të tillë.”

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi Moska grumbulloi trupat pranë kufirit ukrainas, ndërsa kërkonte ndaljen e zgjerimit të NATO-s në ish-republikat sovjetike.

Lufta u shoqërua me një fushatë të shpejtë sanksionesh nga SHBA-ja dhe aleatët e saj kundër Rusisë. Deri tani më shumë se 2.8 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina, sipas Kombeve të Bashkuara. Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet e Ukrainës.

Kina ka kërkuar “përmbajtje” në konflikt dhe ka shprehur mbështetje për bisedimet për t’i dhënë fund luftës, por nuk e ka denoncuar pushtimin.

Në fund të muajit të kaluar, Kina abstenoi nga një propozim i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që synonte të dënonte sulmin rus ndaj Ukrainës. Rusia vendosi veto-n.

Takimi midis Sullivan dhe Yang erdhi një ditë pasi disa media amerikane raportuan se Moska po kërkonte ndihmë ushtarake nga Pekini.

Kina duket se i hodhi poshtë raportet pa i përmendur ato në mënyrë specifike. “SHBA-ja ka përhapur dezinformata duke synuar Kinën për çështjen e Ukrainës, me qëllime dashakeqe”, tha të dielën zëdhënësi i ministrisë së jashtme Zhao Lijian.

Në një deklaratë që përshkruan takimin në Romë, Shtëpia e Bardhë tha se Sullivan dhe Yang kishin një “diskutim thelbësor” mbi Ukrainën.

“Ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, thuhej në deklaratë.

Një zyrtar i lartë i administratës Biden e përshkroi më vonë takimin si një “sesion intensiv shtatë-orësh”.
“Ne kemi shqetësime të thella për përafrimin e Kinës me Rusinë në këtë kohë,” tha zyrtari, i cili foli me gazetarët në kushte anonimiteti. “Dhe këshilltari i sigurisë kombëtare ishte i drejtpërdrejtë në lidhje me ato shqetësime dhe implikimet dhe pasojat e mundshme të veprimeve të caktuara.”

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.